Futbolli kosovar po vazhdon të jetë i pezulluar si rezultat i përhapjesë së pandemisë së koronavirusit.
Kjo kohë me këtë pandemi ka bërë që shumë skuadra kosovare të kenë kriza financiare ku futbollistët e tyre janë paguar me 50 për qind ulje të pagës, shkruan Gazeta OLLE.
Njësoj ka vepruar edhe skuadra e Drenicës, e cila ka reaguar lidhur me një shkrim se kjo skuadër nuk ka paguar futbollistët gjatë kësaj kohe pandemie.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Drenicës:
REAGIM
Skenderaj – 06.05.2020
KF Drenica , reagon ndaj raportimeve të fundit në media që kinse Drenica nuk ka paguar futbollistët për muajin Mars 2020.
Deshirojmë të sqarojmë mediat, opinionin publik dhe gjithë dashamirët e Klubit Futbollistik ‘Drenica’, që drejtuesit e klubit kanë shlyer obligimet ndaj futbollistëve për Muajin Mars 2020. Pagesat për muajin Mars kanë qenë me 50% të pagës, për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara nga pandemia Covid -19.
Andaj , klubi është në përgatitje e sipër për të bërë pagesat për muajin Prill 2020. Ndërkohë, potencojmë që klubi është i përkushtuar t’ua kryej obligimet lojtarëve dhe stafit me kohë dhe korrektësi, mirëpo në anën tjetër edhe lojtarët dhe stafi, duhet të mirekuptojnë vështirësitë financiare që po has jo vetëm klubi ynë, por shumë klube në Kosovë e me gjerë, për shkak të pandemisë e cila e ka kapluar vendin.
Ju bëjmë thirrje mediave që të marrin prononcimet e nevojshme nga drejtuesit e klubit para se të lansojnë lajmet në lidhje me KF Drenica. Drejtuesit e klubit gjithmonë do të jenë të hapur për të bashkëpunuar me mediat në informimin e opinionit publik.
Me Respekt,
KF Drenica.