back to top
Thursday, September 11, 2025
BallinaLajmeKomandanti i Koshares zbulon të pathënat e luftës dhe “krimet” e UÇK-së

Komandanti i Koshares zbulon të pathënat e luftës dhe “krimet” e UÇK-së

Të ngjajshme

Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hisen Berisha nga Brigada “Agim Ramadani”, njëherësh edhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një intervistë për “Front Online”, ka komentuar deklaratat e fundit se UÇK-ja ka bërë krime lufte dhe se brenda saj ka pasur personalitete të hierarkisë së lartë (komandantë) që i kanë kryer këto krime.

Për këtë çështje, ai ka thënë se lufta të mban nën afekt dhe një gabim gjatë këtij rrugëtimi mund edhe të ketë ndodhur, por ka theksuar që me këtë gjë nuk mund të personifikohet e tërë ushtria.

“Lufta është ambient që të mban nën afekt. Të paktë janë ata mund t`i kontrollojnë emocionet dhe të mos dalin jashtë vetes. Ka pasur mundësi që të ketë edhe individë që mund të kenë bërë ndonjë gabim gjatë procesit, pra gjatë rrugëtimit.  Por, nuk guxohet të bëhet gjeneralizim, nuk guxon të thuhet UÇK-ja si tërësi, komandantët”, ka thënë ai për “Front Online”.

Sipas Berishës, nëse ka të tillë emrat dhe krimet që kanë bërë dihen.

“Emri dhe krimet dihen. Emrat e njerëzve, personave, kryesit kanë emra. Nëse kanë kurajo qytetare dhe i kanë identifikuar se ka krime dhe se ka individë që kanë bërë krime t`i thonë me emër. Atëherë do të vlerësohen nga qytetarët dhe nga unë”, ka thënë ai.

GJND-ja e ka dëshmuar që UÇK-ja nuk ka pasur mundësi që të kryej krime

Komandanti që mori pjesë në Betejën e Koshares, Hisen Berisha, ka folur edhe për ballafaqimin me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pas lufte. Sipas tij,  kjo përballje ka dëshmuar që UÇK-ja nuk ka qenë një ushtri që ka pasur mundësi që të kryej krime.

“Ne jemi përballur me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ajo i ka identifikuar personat për të cilët është supozuar se kanë kryer krime dhe ata janë liruar nga gjykata dhe kjo është një fakt plus që UÇK-ja, nuk ka qenë ushtri që ka pasur mundësi për të kryer krime”, ka thënë Berisha.

E mbrojtja e atdheut dhe e pragut të shtëpisë, sipas Berishës, ka qenë misioni i vetëm i kësaj ushtrie.

“Pra, një ushtarë i UÇK-së ka pasur për mision mbrojtjen e pragut të shtëpisë, lirinë e vendit, mbrojtjen e familjes, pronës, shokut e të tjera. Por, nuk kemi qenë ne ushtria që ka ushtruar sulm, por që jemi mbrojtur ndaj një okupatori siç ka qenë ushtria serbe”, ka potencuar ai.

Gjykata Speciale t`i hetojë edhe komunitetet në Kosovë

Anëtari i PDK-së Hisen Berisha ka thënë për Front Online, që Gjykata Speciale duhet hetojë edhe për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera në vend, që sipas tij ka pasur mundësi të jenë përfshirë në vepra kriminale gjatë luftës.

“Sot i kemi Dhomat Speciale që po ashtu mendoj që në kompetencat e tyre duhet të shtojnë edhe trajtimin e qytetarëve, të Kosovës, të komunitetit serb dhe të tjera komuniteteve që kanë kryer vepra që mund të cilësohen si penale apo kriminale në të ardhmen. Unë mendoj që Gjykata Speciale me punën e saj një ditë do ta nxjerrë UCK-në të pastër ashtu siç ka qenë, brenda misionit të saj çlirimtar”, ka theksuar ai.

“Raporti i Dick Marty-it është ngritur mbi supozime se UÇK-ja ka kryer krime”

Duke folur mbi deklaratat e fundit, se UÇK-ja ka kryer krime gjatë luftës, Berisha ka thënë që mbi deklarata të tilla është hartuar edhe raporti i Dick Marty-it.

“Pas lufte njerëzit nga mosdija, nga dëshira që të jenë protagonist apo që të jenë edhe të faktorizohen, edhe nga interesi kanë bërë deklarata. Nuk e kanë pasur koeshiencën, sepse ato deklarata në nivelin e supozimeve një ditë do të vij koha që të ju qëndrojnë prapa. Në deklarata të tilla nga shumë nivele është hartuar edhe raporti i Dick Marty-it, i cili ka rezultuar dhe i atakuar nga vet avokati dhe prokurori amerikan në atë kohë”, ka thënë ai për Front Online.

E gjeneralizimet e tilla sipas tij, duhet të penalizohen.

“Një gjeneralizim i cili duhet të penalizohet. Unë mendoj që këtu duhet të veprojë drejtësia në Kosovë. Unë mendoj që këta njerëz duhet të trajtohen edhe në aspektin e stabilitetit psikik dhe moral për të cilin kam shumë dyshime”, ka pohuar Berisha.

Duke folur për thirrjet që ka bërë Gjykata Speciale për disa persona në vend, Berisha ka thënë se më shumë ka qenë e fokusuar tek personalitetet politike për t’i përjashtuar nga sistemi institucional-politik, sesa që ka pasur diçka konkrete.

“Duke e parë që shoshitja në Gjykatën Speciale po nxjerr në pah numrin e madh të të intervistuarve dhe deri më tani nuk ka rezultuar ende ndonjë padi konkrete. Më shumë po duket sikur është tendenca e abstrahimit të një kontingjenti të njerëzve nga sistemi institucional-politik në Kosovë sesa që ka diçka konkrete”, ka thënë ai për Front Online.

Komandanti i UÇK-së në Koshare: Sulmuesit e UÇK-së po tentojnë të shfaqen heronj

Për të gjithë ata që po japin deklarata të tilla, pra që ushtarët e UÇK-së kanë kryer krime, sipas Hisen Berishën, janë duke tentuar që të paraqiten heronj.

“Me këtë fenomen po tentojnë që t`i arrijnë dy objektiva: një po supozojmë dalin të saktë në supozimet e tyre dhe të Dick Marty-it, atëherë do të jenë heronj dhe po e krijojnë këtë armatën e tyre tipike me ato metodat e sigurimit të shtetit”, ka potencuar ai për Front Online.

Në anën tjetër, sipas tij në rast se këto pretendime dështojnë, do të kalohet në Planin B, e që sipas tij ka të bëj me sulmin ndaj politikanëve që janë përkrahës të luftës së kësaj ushtrie.

“Në rastin më të keq në rast se këta do të dështojnë në pretendimet e tyre, gjeneralizimit të krimit me UCK-në, atëherë këtë armatë prapë do ta kenë këta se gjoja kjo klasë politike është e lidhur me Serbinë, e me Amerikën dhe duke na luftuar neve po i realizojnë ato që i kanë premtuar,  që nuk dua t`i interpretojë”, ka thënë ai.

Hisen Berisha: Nuk mund të ketë kurrë amnisti ndaj krimit

Komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha, duke folur rreth deklaratave se duhet amnistuar krimet serbe, tha se mund të ketë amnisti për krimet, por vetëm amnisti të përgjithshme për ata që kanë qenë të përfshirë në luftë.

“Mund të ketë amnisti, por amnisti përgjithshme për ata që kanë luftuar siç ka ndodhur në Maqedoni, Serbi, e që do të thotë që unë nesër kur të qarkullojë në Mal të Zi apo në Serbi të mos arrestohem pse kam qenë luftëtarë. Por, amnisti ndaj krimit kurrë. S`do të ketë kurrë amnisti dhe të gjithë duhet të përgjigjen për veprat që kanë bërë gjatë cilësdo qoftë ajo periudhë, lufte apo pas lufte”, ka thënë ai për Front Online.

E për t`u zgjidhur këto çështje, sipas Berishës, duhet të formalizohet patjetër Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës.

“Ajo çfarë mendoj unë se duhet të ndodh patjetër është se ka pasur një iniciativë nga PDK-ja për krijimin e një ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës, ai duhet patjetër të formalizohet në Kosovë dhe ai ligj nuk duhet të përfshijë vetëm vlerat që janë krijuar nga viti `97 e tutje por edhe në kohët e mëparshme, çdo përpjekje të shqiptarëve për liri duhet ta përfshijë dhe ta mbrojë këtë ligj”, ka thënë ai, për Front Online.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz