Qeveria e Kosovës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, ka ndar 500 mijë euro për shqiptarët në Luginë e Preshëvës.
Ky vendim e ka gëzuar kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafën, i cili ka thënë se ky është vendimi më serioz i Republikës së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshëvës.
Lexojeni të plotë reagimin e Ragmi Mustafës:
Në cilësinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar mirëpres dhe përshëndes vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve për komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në vlerë prej 500 mijë euro, me bindjen se do të realizohen e konkretizohen shumë shpejtë.
Ky është ndër vendimet më serioze i Republikës së Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Qeveria në detyrë ditë më parë u interesua për modalitetet administrative dhe teknike për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës me rastin e pandemisë Covid-19. Pas një kohe që ishim drejtuar me kërkesa zyrtare.
Ndihma institucionale e Republikës së Kosovës, po edhe e Republikës së Shqipërisë është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme, në drejtim të institucionalizimit të mbështetjes së vazhdueshme politike, administrative e buxhetore, të realizimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në përputhje me kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në bashkërendim me Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.
Me këtë rast, Qeveria në detyrë ka ndarë mjete në masë prej 0.021% për Luginën e Preshevës nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Ashtu siç është fakt noter, që Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kërkuar vazhdimisht e zyrtarisht, qoftë nga Republika e Kosovës qoftë nga Republika e Shqipërisë të akordohen mjete nga linjat e veçanta buxhetore në masë prej 0.02%-0.05% si mjete të rregullta për të fuqizuar institucionet dhe përmirësuar pozitën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.