Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i pyetur se a do ta lëshojë karrigen e kryeministrit nëse formohet Qeveria e re pa VV, ai tha se qeveria e re do të formohet vetëm përmes zgjedhjeve.
“Qeveria e re do të formohet vetëm pas përfundimit të pandemisë dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja”, tha kryeministri në detyrë, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij, çdo vendim tjetër, është devijim nga vullneti i qytetarëve, dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Ai tha se do ta përcjellin me kujdes se çka do të ndodhë ditëve në vijim, dhe varësisht nga zhvillimet edhe do të veprojnë.
Kurti në këtë konferencë për gazetarë ka ripërsëritur se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
“Presidenti sot doli në ilegalitet. Formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Presidentit këtë mundësi ia dhanë krerët e LDK-së, të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e dhënë ndaj qytetarëve e ndaj nesh. Me këso veprime e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën të cilën ua shkurtoi vullneti i qytetarëve”, tha Kurti në konferencë.
Ndryshe, sot presidenti Thaçi ka pasur një takim me liderët e partive politike.
Ai ka parlajmëruar se shumë shpejt do të formohet një qeveri e re pa zgjedhje, dhe se mandatin do t’ia jap asaj force politike që e ka shumicën parlamentare.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka theksuar se presidenti dhe partitë po krijojnë standard të dyfishtë, sa i përket situatës pas mocionit të rrëzimit të Qeverisë.
“Duke u munduar të rrëzoj ne, ai do ta rrëzoj veten, dhe atë në pakthim”, tha ai.
Kurti ka theksuar se “sot ishin mbledhur bashkë një klasë e stërvjetëruar politike, që kishin frikë nga zgjedhjet”.