Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është bërë pjesë e lajmeve ndërkombëtare për qasjen ndaj Richard Grenell, të dërguarit special të presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Duke e cilësuar ”sulm të ashpër”, gazeta britanike The Guardian, i ka dedikuar një artikull deklaratës së Albin Kurtit se Richarad Grenell po ndërhyn në politikën e vendit.
”Kryeministri i përkohshëm i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një sulm të ashpër ndaj Drejtorit të Shërbimit Sekret Kombëtar të Donald Trump, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën e vendit dhe se e ndihmoi në rrëzimin e ish-qeverisë së tij me qëllimin për të dhënë një fitore të shpejtë diplomatike për Trump”, thuhet në artikullin e publikuar.
Më tej gazeta britanike duke shtjelluar tërë procesin poltik në Kosovë se si erdhi deri tek rrëzimi i Qeverisë Kurti, thotë se Richard Grenell mori akuza ndërsa dhe është duke punuar në një marrëveshje të mundshme që Serbia ta njohë Kosovën.
”Kurti pranoi se kriza kishte një dimension lokal, por akuzoi Richard Grenell, i cili është duke punuar në një marrëveshje të mundshme që Serbia të njohë Kosovën, se ishte “përfshirë direkt” në presionin e votës” theksohet mes tjerash.
“Qeveria ime nuk u përmbys për asgjë tjetër, por thjesht sepse Ambasadori Grenell ishte me nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë”, citohet Kurti të ketë thënë në konferencën për shtyp në Prishtinë.
“Ajo që atij [Grenell] i duhet është një marrëveshje e shpejtë për të treguar se ata mund të rregullojnë krizat në botë, ndoshta në kontrast me Clintonët, Bushët dhe Obama – pa ndonjë ndërhyrje ushtarake, dhe kjo mund të paraqitet si një sukses në këtë vit zgjedhor”, citohet më tej deklarata e Kurtit.