Kryetari i PSD-së, dikur deputet dhe sekretar organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka publikuar postierët që dikur ish-partia e tij, i shpërndante gjithandej Kosovës kundër produkteve serbe.
Në reagimin që i kushtohet pranimit të 1 mijë testeve nga Serbia nga qeveria në detyrë i Kosovës, Molliqaj ka shkruar se të njëjtat duhej të refuzoheshin, shkruan lajmi.net.
Ai shkruan se Serbia i dërgoi këto teste në vendin “ku do të duhej të kërkonte falje, e t’i kthejë trupat e të pagjeturve”.
“Por këtë nuk e bëre. Sepse ju nuk keni guxim ta BEFASONI Serbinë. Prandaj e shkarkuat vetën”, ka shkruar Molliqaj.
Postimi i plotë:
Ky është posteri kundër produkteve të Serbisë të cilin si VV e shpërndamë gjithandej Kosovës në vitin 2006.
Sot kryeministri në detyrë, pozitë të cilën po vazhdon ta mbajë të uzurpuar anipse e shkarkoi vetën, paska deklaruar që me pranimin e ”ndihmës” nga Serbia, me ç’rast u dhuruan 1000 teste për COVID-19, ne e kemi befasuar Serbinë.
Serbia nuk befasohet kur pranohen donacione të tilla kryeministër. Sepse Serbia nuk befasohet kur amnistohet për krimet e kryera në Kosovë. Dhe edhe po të befasohej, neve nuk na duhet ky lloj befasimi i tyre.
Neve na duhet ta befasojmë Serbinë duke ia refuzuar këto donacione. Serbinë e pate rastin ta befasoje në tavolinën e negociatave.
Aty ku do të duhej t’ia kërkoje kërkimfaljen për të gjitha vrasjet e përdhunimet e grave shqiptare gjatë luftës.
Aty ku do të duhej t’ia kërkoje t’i kthejë trupat e të pagjeturve.
Aty ku do të duhej t’ia kërkoje dëmshpërblimin për shkatërrimin e shtëpive tona.
Por këtë nuk e bëre. Sepse ju nuk keni guxim ta BEFASONI Serbinë. Prandaj e shkarkuat vetën. /Lajmi.net/