BallinaLajmeE dhimbshme, gruaja nga Vushtrria që vdiq nga koronavirusi u varros nga...

E dhimbshme, gruaja nga Vushtrria që vdiq nga koronavirusi u varros nga 4 familjarë

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, u shpreh se ngjarja e ditës së enjte ishte një prej më të vështirave në jetën e tij.

Në orët e mbrëmjes, në Vushtrri, u varros pacientja që vdiq si pasojë e koronavirusit.

“U varros në praninë e katër familjarëve, imamit dhe ekipit të Infektivës. Është e tmerrshme, një ditë që nuk kam menduar se do ta përjetojë”, ka thënë Tahiri në Interaktiv të KTV-së.

Tahiri ka treguar se në Vushtrri aktualisht janë 24 raste me koronavirus dhe pesë të shëruar.

Rasti i fundit është shënuar sonte, kur një infermiere e QKUK-së ka rezultuar pozitive.

“Është rast i importuar nga Prishtina. Është një punëtore shëndetësore nga QKUK-ja, këto raste po janë edhe më të dhimbshme, pasi punëtorët shëndetësorë janë vija e parë e frontit dhe unë dua t’i falënderojë të gjithë, kanë bërë punë pa frikë për vetën dhe për familjen. Për këtë na vije shumë keq kur punëtorët shëndetësorë preken. Sot për fat të mirë kemi pasur 10 teste të një punëtori tjetër të infektuar, janë kontakte, por kanë rezultuar negative. Edhe dy rastet e mëhershme nuk kanë infektuar asnjë tjetër”, tha Tahiri.

Aktualisht në Vushtrri është vetëm një fshat i karantinuar, Smrekonica.

“Janë dy familje të izoluara, por për fat të mirë asnjë tjetër në fshat nuk është infektuar. E kemi situatën në kontroll, masat tona së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë po funksionojnë. Ne asnjë, s’e kemi pasur përvojën se si do të ballafaqohemi me këtë pandemi. U kam thënë që në proces do të mësojmë shumë dhe vërtetë përvoja ka treguar se kur jemi vigjilentë, kur personat janë të vetëdijshëm, atëherë suksesi në luftimin e koronavirusit nuk po mungon. Ky është çelësi”, u shpreh ai.

Tahiri shtoi se Vushtrria ende nuk ka nevojë të futet në karantinë, megjithëse ka numër të madh të rasteve. Por nëse kjo kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët mjekësorë, atëherë do të respektohet vendimi.

“Nuk mendoj se ka nevojë të futet i gjithë qytetit në karantinë. Tashmë e kemi Smrekonicën, që ka mbi 2.000 banorë. I kemi dezinfektuar rrugët, objektet, kemi barna. Sot për shembull kemi dërguar insulinë për ata që kanë nevojë për gjithë muajin. Kemi bashkëpunim me komunitetin. Dhe fakti që brenda fshatit kemi vetëm dy familje me Covid-19, dëshmon që masat e karantinimit kanë funksionuar”, ka thënë i pari i Vushtrrisë.

Ai ka folur edhe për jetën në qytet dhe për masat që po merren për të ndihmuar bizneset dhe familjet. Shumë shpejt, tha ai, do të mblidhet Kuvendi komunal për të hartuar planin si të ndihmohen bizneset e vogla dhe ato të mesme. Së pari sipas tij, duhet të bëhet një studim mbi efektet e pandemisë, më pas edhe më Qeverinë në qendër të bëhet më e mira.

Ka treguar se edhe rastet sociale në komunë janë shtuar.

“Deri në këtë moment kemi ndihmuar 1.300 familje me pako ushqimore e higjienike, të gjitha donacione. Është vështirësuar tepër jetesa, kemi mbi 1.500 familje në asistencë sociale. Por ka raste si punëtorët e krahut, taksistët, kamerierët që nuk po punojnë më, të gjithë tash janë bërë raste sociale. Por jam i lumtur që po arrijmë t’i ndihmojnë të gjithë. Me Bashkësinë Islame kemi 300 persona që iu dërgojmë bukë të gatshme çdo mëngjes. Ne po ashtu po planifikojmë masat ekonomike për rimëkëmbjen e ekonomisë së qytetit. Së pari do të fillojmë me një studim për impaktin e koronës, në çdo fshat, në çdo familje. Kur do të identifikojmë atë, do ta paraqesim para Qeverisë e donatorëve. I kemi propozuar Kuvendit komunal që të anulojë të gjitha qiratë”, ka thënë ai.

Tahiri ka folur edhe për masat e Qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve. AI ka vlerësuar lartë punën e ministrin të Shëndetësisë Arben Vitia dhe të tjerëve, por ka shtuar se ka pasur hapësirë për më shumë konsultim në lidhje me masat e fundit.

“Një ditë para së të futeshin në fuqi masat na kanë shkaktuar kaos, por dje e sot kemi respektim të mirë, kjo është meritë e qytetarëve, ata kanë vendosur të ruajnë vetën, familjen dhe qytetin e tyre”, ka shtuar ai.

Tahiri nuk ka dashur të flasë shumë për përplasjet në nivel qendror mes partisë së tij LDK dhe VV-së. Po ashtu nuk ka treguar nëse ka votuar pro ose kundër një Qeverie të re të udhëhequr nga LDK-ja.