Shefi i Stafit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Luan Dalipi, ka bërë një seri të postimeve në rrjetin social Twitter ku tregon se taksa do të hiqet sapo të ndalet fushata e Serbisë për çnjohje të shtetit të Kosovës.
Sipas Dalipit, posa Serbia të ndalojë këtë fushatë, dhe t’i heq barrierat jotarifore, do të krijohet një bazë e fortë për një dialog të prosperuar dhe për marrëdhënie reciproke me Serbinë.
“Aleanca jonë strategjike me SHBA-në dhe botën demokratike është e rëndësisë kritike dhe Qeveria e Kosovës do të bëjë të pamundurën për t’i ruajtur dhe avancuar raportet tona. I jemi shumë mirënjohës partnerëve tanë ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, përfshirë ambasadorin Richard Grenell për përkushtimin e tij dhe për rolin aktiv në realizimin e njohjes reciproke Kosovë-Serbi që do të sjellë paqe afatgjatë dhe prosperitet në të dyja vendet. Tarifën do ta heqim plotësisht posa Serbia të ndalojë fushatën e saj të çnjohjeve, si dhe t’i heq barrierat e saja jotarifore. Kjo do të krijojë një bazë të fortë për një dialog të prosperuar dhe marrëdhënie reciproke me Serbinë”, tha Dalipi, raporton KOHA.
Qeveria e Kosovës, sipas tij, paraqet legjitimitetin e qytetarëve dhe politikës së saj. Abrashi ka sqaruar edhe sistemi kushtetues të Kosovës dhe praktikën ligjore të Gjykatës Kushtetuese që thotë se konfirmon rolin e secilit aktor në politikën e jashtme, ndërsa ka shtuar se në sistemin parlamentar të Kosovës, Presidenti i shërben politikës së jashtme të caktuar nga Qeveria.
Më tej, Dalipi ka thënë se veprimet jokushtetuese në procesion negociator me Serbinë do t’i bëjnë dëm dhe do të minojnë punën e madhe dhe përpjekjet e partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe.
“Askush s’duhet t’i çorientojë miqtë tanë në komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e pakoordinuara dhe pa autorizim kushtetues jo vetëm që prodhojnë pasoja negative, por edhe marrëveshje fiktive dhe të pazbatueshme që rezultojnë në dëmtimin e pozitës ndërkombëtare dhe të interesave të Kosovës”, ka thënë Dalipi.
Ndërkaq, deputeti i VV-së, Artan Abrashi, përmes një postimi në Facebook, ishte më i qartë në qëndrimin e tij rreth taksës.
“Taksa do të hiqet. Këtu s’ka dilemë”, tha ai.
“Problemi i vërtetë i çoroditjes së tyre publike është prishja e strofullave të krimit nga pushteti i ri. Pra jo nga dashuria ndaj SHBA-së por frika nga humbja e salltaneteve. Dhe mafia këtë punë ka, mbrojtjen e territorit dhe interesave me çdo arsyetim. Pa PANik”, shkroi Abrashi.
Reagimet e këtyre dyve erdhën pas kërcënimeve për largimin e trupave ushtarake nga Kosova nga zyrtarë amerikanë, përfshirë këtu edhe njërin prej djemve të presidentit amerikan, Donald Trump.
Senatori David Perdue, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se SHBA-ja do të duhej ta rishqyrtonte praninë në Kosovë.
Këtë qëndrim të senatorit republikan e ka përkrahur edhe i dërguari i Trumpit për dialogun me Serbinë, Richard Grenell.
Gjithashtu edhe i biri i presidentit Trump, Donald Trump Junior, ka thënë se mbështet deklarimin e senatorit Perdue. “Pajtohem. Janë rreth 650 trupa amerikane në Kosovë. Ka ardhur koha që t’i kthejmë ata në shtëpi”, ka shkruar ai në Twitter.
