Vitet 90’ në Shqipëri ishin një kaos total, e sidomos pas trazirave të vitit 1997, ku u krijuan shumë banda, që luftonin kundër njëra-tjetrës, e krijuan lidhje të forta edhe me pushtetin. Njëra ndër më të njohurat është Banda e Beratit të cilën e drejtonte Altin Dardha, i njohur me nofkën ‘i bukuri’.
Ky person thuhet se ka kryer 61 vrasje. Disa prej tyre thuhet se i kreu me qëllimin e vetëm, që të provonte nëse mund t’i qëllonte pasi i merrte në nishan, shkruan Reporteri.net.
“Ishte djalë i një mësuesi, nëna i punonte në kombinatin e tekstileve. Jetonte shumë thjesht, ishte një familje e mesme e Beratit. Ishte në shkollë të mesme për përpunim druri, në ndërrim të viteve filluan këto grupet e vogla në Elbasan. Dhe ky bashkohet. Pastaj babai e sjell në Tiranë dhe aty lidhet me bandën e Xhabaftëve dhe vjen nga Tirana në Berat dhe formon një grup të vogël banditësh”, tregonte mbrëmë në emsionin Opinion në TV Klan, gazetari Ferdinand Dervishi, i cili në atë kohë ishte gazetar i kronikës në mediat shqiptare, dhe i përcillte nga afër këto zhvillime.
Ai e quante vetën ‘i bukuri’, dhe historia e tij fillon si i ri, kur i ishte vardisur mbesës së shefit të policisë, të cilët më pas e morën dhe e rrahën keq, duke e tërhequr edhe zvarrë.
“Ky e quante veten djali i bukur, nuk e di si futet ajo historia aty tek gjimnazi dhe vjen e merr njëherë policia. I kishte rënë në qaf mbesës së shefit të komisariatit. Dhe policia e çon në Lapardha dhe e rrahin. Policëve iu thotë, mirë po unë do rritem, do vij një ditë që unë do iu heq qafe juve. Ata rrih edhe ky thotë do iu heq qafe, e tërheqin pastaj me një kavo dhe ky në asnjë rast nuk iu bindet atyre. Kjo ka qenë ’93 dhe më pas bënë vrasjen e parë. Në ’97 mori peshë pastaj”, tha më tej gazetari.
Ndërkohë sipas gazetarit Poli Hoxha, Altin Dardha bënte vrasje dhe për nishan. “Thoshte a vras dot këtë aq larg”, ka treguar gazetari Hoxha. /reporteri.net