Në seancën plenare në Kuvend ku u votua Qeveria e re, kryeministri i votuar Albin Kurti ka thënë se sot nuk ka fituar koalicioni Lëvizja Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por kanë fituar qytetarët e Kosovës, shkruan GazetaBlic.
Ky është fjalimi i Albin Kurtit i shkëputur në disa pjesë:
“Sot nuk fitoi koalicioni VV-LDK, por fituan qytetarët. Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë përmes klientelizmit dhe favorit, ftoj të gjithë punonjësit në institucione publike që të distancohen e ta luftojnë korrupsionit, pasi nga sot ka një lidership të ri dhe ka aleat i cili do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit”, tha Kurti.
“Unë do të jem kryeministër i të gjithë juve dhe do të dëgjoj zërin e juve sidomos kur nuk pajtohemi. Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme për të sjellë ndryshimin që të gjithë e kemi dëshiruar”, ka thënë ndër të tjerash Kurti.
Po ashtu, Kurti në fjalimin e tij, ka thënë se tashmë ka përfunduar epoka kur interesi personal është vënë mbi atë shtetëror.
“Kosova ka një kryeministër të ri dhe koha kur interesat e personave ishin mbi interesat e shtetit ka përfunduar”, u shpreh ai.
Mirëpo, në fjalimin e tij, kryeministri Kurti, ka bërë të ditur se synimi kryesor i qeverisë së tij dhe i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO si dhe vazhdimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne bashkërisht synojmë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO”, tha Kurti, duke shtuar se partneriteti me SHBA-të do të vazhdojë”.
“Sot kanë fituar qytetarët. Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli. Ne jemi kalimtar e shërbëtor që punojmë në emër të popullit e për popullin. Populli mbetet i përhershëm e ne jemi të zëvendësueshëm”.
“Unë zotohem këtu para jush që do të jap maksimumin për të mirën e të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim. Pavarësisht kënd e keni votuar unë do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi. Sot fillon rruga jonë e punës së palodhshme për të sjellë ndryshimin”.
“Ata që na njohin, u themi që do të fuqizojmë partneritetin. Ata që hezitojnë të na njohin u themi që do të punojmë ta marrim njohjen tuaj. Ata që synojnë ta na ndajnë e mohojnë, u them që Kosova ka një kryeministër të ri dhe që ajo kohë ka mbaruar. Ne synojmë bashkërisht anëtarësimin në BE dhe NATO, e kultivim të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Nga sot do të flasim më pak e do të punojmë shumë më shumë”.