Përparim Islami i’a ka parë hajrin bashkëlojtarit të tij Kastriot Rexha dhe klubit të tij KF Feronikeli. Kjo pasi që mbrojtësi llapjan e gjeti fatin e jetës së tij, teksa po udhëtonte me skuadrën e “Niklit” për të zhvilluar ndeshjen kualifikuese në Ligën e Kampionëve ndaj skuadrës uellsiane The New Saints, shkruan Gazetasheshi.com.
Islami do ta mbajë mend gjatë 8 korrikun e vitit 2019, teksa e pa dhe e njoftoi për herë të parë partneren e tij dhe krejt kjo falë ndihmesës së bashkëlojtarit të tij Kastriot Rexha.
Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën “SHESHI”, 26 vjeçari e tregon të gjithë ngjarjen.
“Ishim duke udhëtuar drejt Uellsit me skuadrën e Feronikelit, pasi që kishim ndeshje kualifikuese me TNS në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve. Destinacioni ynë i parë ishte airoporti i Frankfurtit dhe gjatë nisjes e pashë një vajzë e cila më pëlqeu në dukje të parë, por nuk kisha guxim ti flisja. Fati deshti që ulëset e karrigeve ti kishim afër, por asesi të merrja guximin ti flisja. I tregova bashkëlojtarit tim Kastriot Rexha për situatën dhe ai më tha që të ja lërë atij në dorë gjithë situatën”, fillon rrëfimin ‘Rruki’.
Të dy lojtarët njihen për afërsinë e tyre dhe kontaktet e shpeshta. Ndaj dhe një lojë “Ludo King” në avion nuk do të ishte keq, sidomos jo për tu njoftuar me dikë të cilën nuk e njeh fare.
“Kastrioti ndërhyu duke thënë që unë do të luaj me Përparimin një lojë “Ludo King” dhe fituesi i saj do të luajë me këtë vajzën. Ajo vetëm buqëshi dhe pranoi. Meqë ishte puna ashtu, unë e fitova lojën dhe më pas filluam kontaktet dhe prezantimt. Frika filloi që të më largohej ngadalë dhe shkëmbyem edhe numrat tanë dhe më pas filluam të bisedonim dhe ta njihnim njëri tjetrin edhe më mirë”, tregon Islami.

Takimet me partneren tashmë janë zyrtarizuar edhe nga familjarët e tyre. Islami ndjehet i lumtur me fatin i cili i është përcaktuar.
“Kemi njoftuar familjarët tanë prej kohësh dhe ata ishin të pajtimit për lidhjen tonë. Unë jam shumë i lumtur që kam gjetur një vajzë të tillë dhe jam i kënaqur me përcaktimin tim”, përfundoi Islami.
Viti 2019 doli të jetë mjaft me fat për mbrojtësin e krahut të djathtë, i cili fillimisht fitoi të gjithë titujt me Feronikelin, u njoftua me fatin e jetës së tij dhe më pas u fut në formacionin e vitit.
2020 pritet të jetë edhe më i bereqetshëm për Islamin dhe me risi të shumta./Gazeta Sheshi/