Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka konfirmuar se klubi nga Suhareka është i interesuar për lojtarët e liruar nga Feronikeli gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që thotë se ata janë lojtarë cilësorë.
Ballkani u shpall kampion i stinorit vjeshtor nëIpko Superligën e Kosovës, ndërsa do të synojë të vazhdojë me të njëjtin hap edhe në pjesën e dytë të sezonit. Për ta bërë këtë, trajneri Ismet Munishi ka kërkuar përforcime në skuadër, shkruan Gazeta Express.
Munishi beson se Ballkanit i duhen edhe dy lojtarë në skuadër për shkak se klubi duhet ta ketë një skuadër më të madhe për t’i përballuar agjendës më të ngarkuar në pjesën e dytë të sezonit, duke marrë parasysh se Ballkani ende po garon edhe në Kupën e Kosovës.
Ndërkohë, futbollistët e njohur në Kosovë si Kastriot Rexha, Astrit Fazliu, Albutrint Morina, Lulëzim Doshlaku, Haxhi Neziraj, Arbër Prekazi dhe MiloshKrkotiq janë liruar nga kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli, pasi që u është thënë se nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Agim Sopi.
I pyetur në “Favorit” në T7 se a është i interesuar për lojtarët e liruar nga Feronikeli, Munishi tha: “Të gjithë lojtarët e Feronikelit janë interesant. Duhet të kuptohet që ata s’po lirohen pse janë të dobët, sepse janë lojtarë shumë cilësorë”.
“Ata po lirohen pasi që nuk i përshtaten projektit që klubi e ka tani. Feronikeli dëshiron ta ripërtërijë ekipin, por neve na duhen lojtarë me më shumë përvojë. Kështu që e konfirmoj se jemi të interesuar”.
Tashmë është konfirmuar se Astrit Fazliu i është bashkuar Dritës, pasi që futbollistit iu tha nga drejtuesit e Feronikelit se nuk është më pjesë e projektit të trajnerit Agim Sopi.