back to top
Friday, September 12, 2025
BallinaLajmeBrenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve asgjësohet materiali zgjedhor

Brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve asgjësohet materiali zgjedhor

Të ngjajshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në afat prej gjashtëdhjetë ditësh pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të marrë vendim për shkatërrimin e materialit zgjedhor.

Valmir Elezi, zëdhënës i këtij institucioni i tha Ekonomia Online, se asgjësimi i materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, llogaritet të jetë faza e fundit e procesit zgjedhor.

“Pas çdo procesi zgjedhor, materiali i ndjeshëm zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet shkatërrohet. Kjo llogaritet të jetë faza e fundit e një procesi zgjedhor”.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme për shkatërrimin e materialit zgjedhor, vendimi merret nga KQZ-ja brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Në përputhje me ligjin, KQZ-ja do të marrë këtë vendim dhe sigurisht se do të bëhet publik”.

Elezi më tej ka sqaruar se nuk shkatërrohet i gjithë materiali zgjedhor. Të asgjësohet nuk lejohet materiali që është pjesë e hetimit të prokurorisë, kurse një pjesë ruhet për qëllime të trajnimit të stafit i cili angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore.

“Jo i gjithë materiali i ndjeshëm zgjedhor shkatërrohet. Materiali i cili ruhet është objekt hetimi i Prokurorisë së Shtetit dhe ne kemi obligim që ta ruajmë deri në përfundimin e të gjitha procedurave”.

“Gjithashtu, edhe një pjesë tjetër e materialit zgjedhor ruhet dhe kjo bëhet për qëllime të trajnimit të stafit i cili angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore”.

Problematike në këto zgjedhje është vlerësuar numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme. Mbi 40 mijë e 732 fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme. Komunat që prijnë për nga numri i fletëvotime të pavlefshme, sipas KDI-së janë Skenderaj, Novobërda, Drenasi dhe Podujeva.

Kurse pas certifikimit të rezultateve LVV, si parti e para në këto zgjedhje, ka marrë 221.001 vota (26,270%), LDK e dyta me 206.516 vota (24,548%), PDK e treta me 178.637 vota (21,234%), koalicioni AAK-PSD 96.872 vota (11,515%).

Ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kaluar pragun duke marrë 42.083 vota, apo në përqindje 5,002%.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz