Prokuroria në Hagë e ka marrë në pyetje Driton Lajçin, drejtorin e Zyrës për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, por vetëm për një ditë dhe ka zgjatur dy orë.
Kështu ka thënë avokati i tij, Artan Qerkini, pas raportimeve se ai është marrë në pyetje për tri ditë radhazi, njofton Klan Kosova.
“Marrë parasysh lajmin e publikuar në disa media elektronike se z. Driton Lajçi është marrë në pyetje nga ZPS për tre ditë me radhë, për hir të informimit të saktë të opinionit publik dëshiroj që në cilësinë e avokatit të z. Driton Lajçi, t’iu njoftoj se i njëjti është marrë në pyetje nga ZPS vetëm me datën 17 tetor 2019 dhe atë vetëm për 2 orë”, ka thënë Qerkini.
Zyra e Prokurorit të Specializuar është interesuar për funksionimin e Zyrës për mbrojtje juridike që drejton Lajçi për personat potencialisht të akuzuar.
“Lajçi ka dhënë deklaratë në këtë drejtim, duke sqaruar funksionin e tij dhe të Zyrës. ZPS-së i është bërë me dije se themelimi i Zyrës gjen mbështetje në Ligjin Nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të personave Potencialisht të Akuzuar, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”.