“Nuk e pranoj fajësinë për këtë vepër penale. Kjo lëndë narkotike më është gjetur në lokalin ku unë bëj tatuazhe, dhe jo mua. Policia e ka gjetur ekstazinë afër një kompjuteri, i cili ka qenë në lokal. Unë e di se e kujt ka qenë, dhe ka edhe persona të tjerë të cilët mund të dëshmojnë se e kujt ka qenë”, ka thënë ai.
Pas kësaj, gjykatësi Sejda, e ka njoftuar atë në të drejtën e tij ligjore, që në afat prej 30 ditësh mund të paraqes kundërshtimet lidhur me provat, apo kërkesën për hedhjen e aktakuzës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 21 shkurt 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Lumbardh Kashtanjeva, po akuzohet se më 26 dhjetor 2018, rreth orës 21:00, pas një kontrolle nga policia në lokalin e tij në Ferizaj, i ishte gjetur një qese ku në të ishte një copë e substancës narkotike e llojit ekstazi, të cilën e kishte poseduar pa autorizim.
Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


