Besimtarët e fesë Islame nesër festojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila karakterizohet me disa rituale.
Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka treguar se cila janë veçoritë e festës së Kurban Bajramit.
“Besimtarët e besimit islam i kanë dy festa kryesore, festën e Fitër Bajramit apo siç njihet në popull te ne Bajrami i Madh dhe festën e Kurban Bajramit apo siç njihet tek ne Bajrami i Vogël. Bajrami i Kurbanit karakterizohet me dy ngjarje, njëra është pas përfundimit të haxhit, dhe institucion i i kurbanit”, ka thënë ai.
Sipas tij pas përfundimit të haxhit, besimtarët e fesë islame e kanë obligim që ta presin kurbanin.
“Haxhi është një obligim për besimtarët mysliman dhe ata të moshës madhore, të cilët e arrijnë nivelin e pasurisë, janë të shëndosh, i plotësojnë kushtet, janë të obliguar ta kryejnë këtë detyrim. Kurbani llogaritet ajo kafshë që theret pas faljes së namazit të Kurban Bajramit deri në përfundim të tekbireve që është ditën e tretë në Ikindi. Kjo është periudha kur lejohet therja e kurbanit dhe llogaritet si i tillë. Çka do që theret para faljes së namazit të Bajramit është sadakë, lëmoshë që e prenë për me dhënë”, ka thënë ai duke treguar se si ka mbetur historia e therjes së kurbanit, shkruan Telegrafi.
“Therja e kurbanit ka për qëllim të arrihet devotshmëria apo shkalla më e lartë e afrimit te krijuesi. Kjo ndërlidhet me ngjarjen e pejgamberit Ibrahim kur ai ka dashur ta sakrifikojë djalin e tij, pasi që e ka parë ëndrrën ku thuhet me therë për hirë të Zotit djalin. Zoti e ka sprovuar në këtë formë dhe kur e ka parë që ai është i gatshëm ta bëjë për hirë të Zotit, ia ka dërguar një kurban dhe pastaj e ka therrë në vend të djalit. Kjo traditë e ka edhe anën humanitare dhe është ritual social përveç atij fetar. Nuk janë të obliguar me therë kurban ata që s’kanë mundësi, përkundrazi atyre iu takon të marrin mish nga të tjerët që therin dhe e shpërndajnë atë. Pra janë të liruar nga një obligim i tillë”, është shprehur ai.



