Feronikeli e ka stabilizuar veten në një gjigant të vërtetë të Superligës në vitet e fundit.
Organizimi i mirë brenda dhe jashtë fushës kanë dhënë frytet e veta, me suksesin e fundit të klubit që ishte triumfi në Superligë edicionin e kaluar dhe në Kupën e Kosovës.
“Nikli” dominoi në futbollin vendor, por pritshmëritë ishin të larta edhe në arenën evropiane, aty ku do të luante në parakualifikimet për në Champions League, shkruan Periskopi.
Nën udhëheqjen e Zekirija Ramadanit, skuadra fillimisht u duk mjaft premtuese, por dalë ngaldalë filloi të binte në sy kualiteti superior i skuadrave nga rajoni.
Ata eventualisht u eleminuan nga kualifikimet për në Champions League, para se të pësonin fatin e njejtë edhe në Europa League.
I menjëhershëm ishte reagimi i klubit që e shkarkoi Ramadanin dhe sot konfirmoi emërimin e trajnerit të ri, Dejan Vukicevic.
“Nikli” shpreson se me ardhjen e Vukicevicit, një trajner me emër dhe ish-futbollist i njohur, të impresionojë në Evropë.
Vukićević ka arritur marrëveshje 1 vjeçare me klubin për edicionin 2019/2020.
Në të kaluarën Vukicevic, 51-vjeçar, kishte drejtuar skuadra si Zeta/Podgorica, Mogren/Budva, Mladost/Podgorica, Vojvodina/Novi Sad, Dacia Chisinau/Moldova dhe në fund, në kampionatin paraprak 2018/2019, ishte trajner i skuadres Ventspils/Latvia.
Gjatë karrieres së tij si futbollist dhe poashtu si trajner ka a fituar tituj të kampionit dhe trofe me klube të ndryshme.
Sa i përket kohës si futbollist, tekniku nga Mali i Zi kishte luajtur për skuadra si Sevilla/Spanjë, Partizani/Beograd, Larnaca/Qipro, Buducnost/Podgoricë, Mogren/Budva.
Sidoqoftë, i kontaktuar nga Periskopi, presidenti i klubit nga Drenasi, Naser Ramaj ka zbuluar edhe detajet financiare rreth emërimit të Vukicevicit.
Tashmë dihet se ai do të jetë i kontraktuar deri në fund të edicionit të ardhshëm, derisa për Redaksinë Ramaj ka thënë se ai do të përfitojë pagë mujore prej 8500 eurove.
“Është trajner i shtrenjtë sepse është më i vlerësuari në Mal të Zi. Rroga e tij arrin në 8500€,” u shpreh Ramaj.
Sa i përket objektivëve të klubit me trajnerin e ri, Ramaj ka shtuar:
“Objektivat tonë janë te qarta, për garat vendore kurgjë më shumë se vitin paraprak nuk kërkojmë, a te garat ndërkombtare synojmë më tepër.”