Pasi Isa Mustafa e fitoi pozitën e kryetarit të partisë, tash ka nisur lufta për pozitat e nënkryetarëve.
Janë hiq më pak se 6 zyrtarë të lartë të LDK-së që po pretendojnë të zënë pozitat e nënkryetarëve.
Sipas burimeve të Gazetës Blic, Agim Veliu, i cili ishte kandidat favorit për ta marrë timonin e partisë do të jetë nënkryetari i parë.
Veliu edhe gjatë mandatit të dytë të Isa Mustafës, mbante postin e të dytit të partisë.
Pos Veliut, sipas burimeve të Gazetës Blic edhe Lutfi Haziri sipas të gjitha gjasave do të zgjedhet në pozitën e nënkryetarit të partisë, pozitë që e mbante deri tash.
Ndërkaq, për pozitën e nënkryetarit të tretë, që deri më tani e mbante Haki Rugova, me gjasë do ta marrë Vjosa Osmani.
“Plani deri më tani është qe nënkryetarë të jenë: Agim Veliu, Lutfi Haziri e Vjosa Osmani. Por, konkurrenca është shumë e madhe. Pozitën e nënkryetrit po e synojnë edhe Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti e Muharrem Sfarqa”, tha ky burim, duke shtuar se edhe për këto pozita do të ketë kompromise.
Mirëpo, që të mos ketë pakënaqësi, me gjase Isa Mustafa do të ndërroj strategji.
Njëjtë sikurse me Këshillin e Përgjithshëm, ku u shtua numri i anëtarëve nga 99 në 119, mund të shtohet nga 3 nënkryetar në 5.
Gazeta Blic ka provuar që të flas me zyrtarë të lartë të LDK-së për emrat për nënkryetar të partisë, por askush nuk ka qenë në gjendje të flas.
Ndërkohë, Gazeta Blic më herët ka raportuar se për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, favorit është Ismet Beqiri.
Dhe, për këtë sipas burimeve të Gazetës Blic, për faktin se Beqiri i ka ndihmuar Isa Mustafës që të zgjedhet kryetar edhe për një mandat.
“Beqiri përpos që ka ndihmuar zgjedhjen e Mustafës, ai përgjatë gjithë periudhës së zgjedhjeve ka kontribuar në ruajtjen e unitetit të partisë, prandaj edhe kryetari i LDK-së e ka vlerësuar rolin e tij”, thonë këto burime.
Mirëpo, përpos Beqirit, pozitën e sekretarit po e synon edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Sipas burimeve të Gazetës Blic, Muhaxheri për kontributin që e ka dhënë në zgjedhjen e Mustafës po kërkon postin e nënkryetarit, ose postin e sekretarit të përgjitshëm.
Gazeta Blic ka raportuar të premten se nga njerëzit më meritor për zgjedhjen e Isa Mustafës, dhe dorëzimin e Kutfi Hazirit e Agim Veliut, është edhe Gazmend Muhaxheri, bashkë me dy kryetarët tjerë të degëve: Imri Ahmetin e Lipjanit dhe Muharrem Sfarqën e Ferizajit.



