Kuvendi i nëntë zgjedhor i Lidhjes Demokratike (LDK), i cili u mbajt sot është përcjellur me tensione mes anëtarëve.
Pos ish-kryetarit të LDK-së Fatmir Sejdiu, i cili shprehu pakënaqësi me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të ri, për çka dhe drejtoi një sërë akuzash ndaj Isa Mustafës, edhe ish-anëtari i kryesisë së po kësaj partie Sabri Hamiti, nuk është ndarë i kënaqur.
Lajmin e kanë konfirmuar për “Gazeta Blic”, burime brenda Kuvendit Zgjedhor të LDK-së.
Sipas të njëjtave burime, Hamitit nuk i ka pëlqyer vendimi i Kuvendit Zgjedhor për zgjedhjen e tij si anëtar të Këshillit të Përgjithshëm, vendim ky i cili e nxiti të jap dorëheqje të mënjehërshme nga ky funksion.
“Sabri Hamiti është votuar për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, por ai ka refuzuar këtë vendim dhe është dorëhequr nga kjo pozitë”, pohojnë burimet e njëjta.
Pasi u votua në Këshill të Përgjithshëm, ai u çua e mori fjalën dhe dha dorëheqje nga kjo pozitë, duke e refuzur të jetë pjesë e këtij organi të rëndësishëm të LDK-së.
Ndryshe, Sabri Hamiti është ndër themeluesit e LDK-së dhe ndër njerëzit më me ndikim në parti.
Ai në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte dështuar që të bëhej deputet.