Shkruan Hajrulla Ceku
Nuk ekziston asnjë studim deri sot që konstaton mungesë burimesh ose potencialesh për zhvillimin e turizmit në Kosovë. Përkundrazi, gjenden copëza analizash, vlerësimesh, të dhënash dhe trendesh që japin sinjale optimiste. Kemi nevojë urgjente për të identifikuar dhe studiuar detajisht potencialin turistik të Kosovës, dhe kjo vjen kahas rritjes së vëmendjes institucionale dhe vullnetit të sektorit privat për të valorizuar dhe promovuar këto potenciale.
Një nga reformat esenciale është ristrukturimi institucional për të vendosur turizmin në nivel të një politike të integruar dhe programi zhvillimor që bën bashkë një numër ministrish në nivel qendror. Përcaktimi i vizionit, modelit dhe strategjisë për zhvillimin e turizmit duhet të jetë hapi pasues që bashkon gjithë arsenalin e dijes në Kosovë për të shndërruar turizmin në një veprimtari të gjerë ku të gjithë kanë një rol, përfshi edhe qytetarin e zakonshëm që duhet t’i dhurojë buzëqeshje turistit.
Zhvillimi dhe normimi i standardeve për shërbimet turistike është kusht i domosdoshëm, pa të cilin nuk mund të mendohet turizmi. Në të njëjtën kohë, në fjalorin dhe praktikën turistike të Kosovës duhet përfshirë konceptin e menaxhimit të destinacionit përmes organizatave të specializuara për të zbatuar këtë mandat.
Mbrojtja e trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore, bashkë me investimet në marketingut e turizmit, krijimin e skemave të mbështetjes përmes kredive të buta për ndërmarrjet turistike, zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e qasshmërisë dhe krijimin e kuadrove të shkathta shërbyese dhe menaxhuese janë veprime që duhet të jenë pjesë e strategjisë përkatëse.
Dhe përfundimisht, bashkëpunimi rajonal, përvetësimi i përvojave të vendeve të rajonit dhe integrimi në tregun rajonal dhe më gjerë turistik duhet të komplementojnë veprimet paraprake në mënyrë që turizmi të jetë konkurrues dhe i qëndrueshëm. Dhe mbi të gjitha, synimi përfundimtar i një sektori të zhvilluar turizmi është rritja e mirëqenies së qytetarëve, sidomos në zonat më pak të zhvilluara të vendit. Një ilustrim praktik për këtë është pamundësia e bujqësisë, edhe asaj intensive për të siguruar mirëqenie solide për banorin e fshatit në Kosovë.
Turizmi ka potencial për të diversifikuar ekonominë e fshatit, krijuar vende të reja pune, zbutur varfërinë dhe ulur normat e përjashtimit social, duke kontribuar në të njëjtën kohë në ruajtjen e burimeve natyrore dhe traditave lokale të vendit tonë.