back to top
Sunday, September 14, 2025
BallinaLajmeZinxhirët e zgjidhur nga gjaku

Zinxhirët e zgjidhur nga gjaku

Të ngjajshme

Burnley vs Liverpool: Një test i madh për Clarets në Premier League

Pas rikthimit të tyre në Premier League, Burnley po...

Pas pak nis protesta në Hagë

Edhe gjysmë ore kanë mbetur derisa të nisë protesta...

Pak minuta para fillimit të protestës, Haga mbushet plotë me shqiptarë

Ka mbetur vetëm edhe pak minuta në nisje të...

Edhe gjysmë ore nis protesta në Hagë, T7 sjell fotografi prej atje

Edhe gjysmë ore kanë mbetur derisa të nisë protesta...

Protesta e madhe në Hagë, Rama: Me zemër jam atje, komandant

Përkrahje të fuqishme sot protestës në Hagë, i ka...

Ta lësh babanë në mes të “mureve të çelikta’’, në mes të mureve të torturës dhe vdekjes së sigurt. T’ia heqësh ata litarë nga duart e gjakosura për të mos u shuar familja ishte momenti më i vështirë i jetës për Muhamet Hasanajn, djaloshi që i shpëtoi vdekjes nga ushtria dhe policia serbe pikërisht para 20 vjetësh, por duke e lënë personin më të rëndësishëm pas tij.

Albijona Hoxhaj*

I rritur me mungesën e babait, i cili ishte në mërgim, Muhameti, djali i vetëm i familjes, luftën në Kosovë nuk e përjetoi i vetëm.

Lufta në Kosovë u bë shkak që Hamdi Hasanaj, tashmë hero i Kosovës, të kthehej nga Gjermania për t’i veshur rrobat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.“Isha duke bërë rojë, kur kuptova që baci ishte kthyer, u çudita, e dija që nuk e kishte pushimin. E pyeta: “Bac, çka u ba? Ma bani: “Babë, tash nuk është koha e punës, neve nuk na duhet puna në Gjermani, as paret, po neve po nau duhet pushka deri ta hekim shkaun prej ktuhit.”, i kujton Muhameti fjalët e babait që tashmë e kishte kapur pushkën në dorë.

Data 18 prill 1999 ishte dita kur babë e bir u zunë rob nga forcat serbe në fshatin Klladërnicë të komunës së Skënderajt.

“Si çdo herë kur dojshin me hi forcat serbe në fshat, para mëngjesi çdo herë e granatojshin fshatin, së pari dhe atë ditë diku rreth orës katër të mëngjesit kanë granatuar disa orë me radhë dhe ka pas granatime të fuqishme”, po rrëfente kështu Muhameti.

Kur pushonin granatat, ata e dinin që do të vinte këmbësoria dhe kishin dalë në mal. Pasi u kthyen rreth orës katër pasdite, forcat serbe i kishin plaçkitur dhe djegur shtëpitë. Ata po qëndronin në lagjen Hoxhaj të këtij fshati, pasi që shtëpitë në këtë lagje kryesisht ishin të ndërtuara nga guri dhe ishin më të sigurta. Tymi që shihej 500 metra më larg ishte tym që dilte nga shtëpia e oborri i tyre. Duke parë që hambari i tyre po digjej e që ishte i mbushur përplot më grurë, pasi që kishte edhe krizë për ushqim, Hamdiu kishte thënë se: “gjysmën e fshatit mujna më e pshtu.”

Bashkëluftëtari i Hamdiut, Safet Hoxhaj, tregon për momentin kur ata vendosën që të shkonin në shtëpi. “Hamdi Hasanaj me të birin Muhametin ishin të vendosur në një pikë të quajtur “Zabeli i Brahimit”, duke i vëzhguar forcat serbe atë ditë. Hamdiu tha se i duhet patjetër të shkojë te shtëpia e tij dhe i biri, Muhameti, i tha: “Babë, edhe unë kam me ardh me ty” dhe u nisën në lagjen Hasanaj”, kujton ai.

Po i afroheshin rrezikut, duke mos parë që në një kanal të mbushur më ferra ishin fshehur rreth 20 deri 30 ushtarë serbë. Tashmë mes tyre ndarja ishte vetëm pesë metra dhe ishte shumë vonë. Forcat serbe filluan të gjuanin në drejtim të tyre. Muhameti nuk po besonte që asnjë plumb nuk e kishte kapur. Ushtarët serbë e kishin shtrirë për toke dhe e kishin lidhur. Në xhep i kishte 20 mijë marka dhe ar të nuses me vlerë prej afër 10 mijë markash. Pasi ia morën të gjitha, ata kishin filluar të grindeshin mes vete për t’i ndarë.

Torturë pas torture

Në fakt, tmerri i vërtetë po fillonte kur Muhametin me babanë e tij po e dërgonin në kodër të Burojës pasi aty e kishin bazën kryesore. Gjatë rrugës për në fshatin Kopiliq, ishin ndeshur me UÇK-në dhe kishte të vrarë edhe ushtarë serbë. Në mesin e ushtarëve serbë, dy duart mbas koke, duke mos guxuar ta kthente kokën pas, po i flisnin në gjuhën serbe, edhe pse nuk kuptonte se çfarë po i thoshin. I rrahur, gjaku po i rridhte nga i gjithë trupi. Gjatë rrugës po i prisnin  një grup prej 15 ushtarësh serbë. Një rom në mesin e tyre kishte filluar ta rrihte me kondak të pushkës. E gjithë lëkura e fytyrës i ishte hequr, buzën e ksihte të prerë me thikë, madje ia kishin hequr edhe thonjtë. Secili prej tyre e rrihte “duke mos e pritur radhën”. Tanimë ai pothuajse ishte pa vetëdije.

“Jam ngritë në këmbë sërish, kom fillu më ecë qysh mujsha, në lagjen Latifi janë taku prapë me UÇK-në, ka pasur prapë të vrarë dhe të plagosur nga radhët e serbëve. Unë mbeta në këmbë. E kom kqyrë ni herë ni përrua më kcy dhe më ikë, por e kom ditë që nuk muj se më vrasin, pasi që isha i rrahur, i llomitur. Nuk kceva”, po tregonte ai.

 Rrugës kishin filluar prapë ta rrihnin me kondak të pushkës, me hekur, duke e shpuar me thika në tërë trupin.

Zhurma që po dëgjohej pas shpinës së tij ishte e një veture të blinduar, një veturë e hekurt. Ushtarët serbë po largoheshin, po i linin hapësirë veturës për ta goditur nga mbrapa Muhametin. Ajo goditje e kishte hedhur 7-8 metra në ara, duke e lënë pothuajse pa vetëdije e pa frymë. Madje ushtarët serbë kishin filluar të talleshin me të pasi merrte frymë më vështirësi. Por Muhameti ishte ngritur prapë në këmbë, sepse e dinte që nëse nuk vazhdonte të ecte, do ta vrisnin dhe do ta linin aty. Pasi e kishin kaluar fshatin Turiçevc, një polic nga grupi ishte bërë gati ta pushkatonte, por dy të tjerë i kishin thënë diçka serbisht dhe nuk e kishte bërë. Në kodër të Burojës, në lagjen Thaçi, ata e kishin bazën kryesore për rrethinën e Skënderajt, pasi që kodra ishte e madhe dhe përbënte hapësirë të mirë për t’u pozicionuar. Në hyrje të bazës kishte parë shumë policë, shumë tanke, autoblinda, armë të rënda, kundërajrorë dhe shtëpi të mbushura me policë serbë. Pasi e kishin ulur në oborr, Muhameti nuk ishte më në gjendje as të ecte, as të fliste. Kjo kishte bërë që ushtarët serbë të nxirrnin ujë nga pusi për t’ia kthyer vetëdijen.

Përderisa i kishte këmbët e shtrira, po përpiqej për t’i fshehur çorapët e ushtrisë për të mos i vrarë babë e bir. Një tjetër polic po i shtypte majat e gishtërinjve të këmbës për t’ia thyer. Flokët kaçurrele ishin bërë cak për një tjetër që po e mblidhte forcën për ta goditur me grusht në fytyrë, por kur ai e largoi kokën, polici serb ishte çmendur dhe kishte filluar të bërtiste “jooo”. Ashtu i inatosur, i kishte dalë pas shpinës së tij. Muhameti po e priste krismën e pushkës. Me një goditje në kokë që nuk e dinte se me çfarë ishte, gjaku nga veshi e syri i djathtë bëri që, ndonëse ishte ditë, ai nuk shihte më, përveç territ dhe se e dinte që e kishin zënë forcat serbe. Pas disa orësh, atij i kishte ardhur pamja e syve.

Dhoma e “ferrit”

Së bashku me babanë, Muhametin e kishin futur në një dhomë të ndërtuar më dërrasa të forta. I kishin lidhur dhe aty po i ruante një polic serb rreth 55 vjeç.

“Aty i pashë disa këpucë të pleqve, sëpata më gjak, një serb plak që ishte caktuar për të na ruajtur, ushtarët i thonin ‘çiço’. Unë mendoja se ‘çiço’ është emër serb, por në fakt e kish kuptimin “plak”, kujton ai.

Polici serb po e rrihte sa herë që futej në dhomë. Derën e kishin mbyllur me zinxhirë dhe dry. Vendi ishte i rrethuar me tela gjemborë. Serbët po bënin plan që në mëngjes t’i pushkatonin, i kishte dëgjuar Muhameti. Ishte mesnatë. Ai vazhdimisht bënte përpjekje për t’i zgjidhur duart.

“Duke iu dhënë forcë duarve, ia nisi konopi të më sharrojë në duar, mu fut në mish, mu qelën në gjak, nga gjaku më rreshqiti konopi, unë i shlirova durtë dhe i nxora”, shprehet ai.

 Kishte  provuar ta  hiqte një dërrasë anash që ta marr me vete  edhe babanë, por dërrasat ishin shumë të forta dhe me gozhda aq të mëdha, saqë nuk pati mundësi për t’i hequr. Kur e kishte provuar një dërrasë në tavan, e pa që po mundej ta largonte, e largoi me shumë kujdes, sikur varrën kur e pastron. Pasi vendi ishte shumë i ngushtë për të dalë, ai u detyrua ta hiqte xhaketën dhe ta gjuante në tokë, të krijonte mundësi për të ikur.

Përderisa po përpiqej që të dilte nga ajo dhomë “ferri”, Muhameti kishte parë që po vinin më bateri për t’i kontrolluar, e dinte që nuk kishte kohë të ikte. E vetmja zgjidhje për të ishte të kthehej dhe të shtirej sikur ishte i lidhur. Ai e kishte vendosur dërrasën në vend për të mos u vërejtur se e kishte larguar, duart i kishte futur në konop. Me të hapur derën, forcat serbe e kishin vërejtur xhaketën në tokë dhe kërkonin përgjigje se si e kishte zhveshur. Muhameti ishte arsyetuar që nuk e kishte hequr vetë, por që një polic ishte më herët dhe ky i kishte thënë se ishte shumë nxehtë dhe ia kishte larguar, se e kishte lidhur dhe rrahur prapë. Ata kishin kontrolluar se a është i lidhur me të vërtetë, por ai i kishte shtrënguar duart për të mos u vërejtur. Meqenëse ishte natë, ata kishin besuar.

Muhameti e kishte larguar sërish dërrasën. Babai i tij, Hamdiu, nuk do ta kuptonte nëse me të vërtetë po shpëtonte, vetëm e dinte se i kishte zgjidhur duart.

‘Nuk e  di sa ishte ora, 2 ose 3, jam ra zhag, kur jam shku me kalu rrethin në tel, në çdo 10 metra ka pas polic për ta ruajtur bazën. Gjatë ditës, kur më kanë shti atu, më kanë shkuar sytë te një vend që ka qenë më i zbrazët nga teli, jam mundu që përafërsisht të dalë nga aty. Ishte momenti më i vështirë i jetës sime, ta lija bacin atu”, rrëfen me plot emocione Muhameti.

Gjatë rrugës ai do t’i shihte edhe krimet e tjera. ‘‘Në një vend kom gjet shumë të vrarë, bile një njeri në vorr ish kanë por pa mlu, nuk e harroj! Kom kapërcy nëpër ata njerëz.’’ Ai kishte ecur diku për rreth dy orë, por nuk kishte shkuar larg, vetëm 500 metra më poshtë, pasi që i kishte humbur drejtimi. Do të ecte disa orë, por prapë arrinte në të njëjtin vend. Rrugën për në shtëpi nuk po e gjente, por siç thotë ai : “Kur i mshelsha sytë, Zoti ma tregojke rrugën dhe e kom gjetë drejtimin ka me dalë.’’ Ecja nëpër ato lëndina ishte më e gjatë se kurrë. Kishte rënë 300 metra në lumë, aty kishte baltë. Do t’i lyente plagët me atë baltë dhe për një moment dhimbjet do t’i pushonin. Ai vazhdon prapë të ecë. Në mëngjes,Safet Hoxhaj me disa ushtarë të tjerë e kishin gjetur Muhametin në një vend që e quanin ‘‘Batallak’’.

“Ishte vendosur në therra, ka qenë shumë e vëshirë për ta njohur, pasi ishte aq shumë i maltretuar nga serbët”,  kujton Safeti.

E shefi i personelit në Brigadën 112 “Arben Haliti”, më vonë edhe komandant i batalionit të  tretë të po kësaj brigade, Musa Dervishaj, me të dëgjuar për Muhametin, kishte shkuar për ta dërguar  në fshatin Turjan që t’ia pastronin plagët. Ai e kujton gjendjen e tij kur e kishte parë: ‘‘I përgjakur, me duar të nxjerra, i lodhur dhe i tmerruar nga përjetimi i asaj nate. Muhameti e ka përjetuar ferrin për se gjalli”, u shpreh ai. Pasi edhe Hamdiu ishte pjesë e batalionit të tretë, Musai e kujton si njeri të mrekullueshëm, të qetë, me pak fjalë dhe shumë të vendosur.

Barrën për ta dëgjuar edhe një histori tjetër, për ta parë nga afër atë torturë, do ta kishte Sanije Dragaj, gruaja që i pastroi plagët e Muhametit.‘‘Pashë që po vinte një traktor, ishte terr. E prunën Muhametin, ishte i mbuluar me gjak, teshat iu kishin ngri prej gjaku”, kujton Sanija. Ajo i kishte vluar ujë për t’ia pastruar plagët. “Ia solla do tesha të vëllaut tem, tri ditë jam mundu me i pastru rrobat e Muhametit nga gjaku. Ja kom jep një gotë tamël, tha “o më erdh shpirti pak”, por gjatë gjithë kohës thshte: “O e kom lanë babën, kanë me e vra”, vazhdon Sanija, së cilës ia kishin vrarë babanë së bashku me xhaxhanë në të njëjtin vend dhe eshtrat e tyre nuk i kishte gjetur kurrë. Ajo ishte detyruar që të kthehej në Turjan, kishte qëndruar tre muaj duke iu gatuar e ndihmuar ushtarëve.

Muhametit gjatë luftës i lindi një vajzë. Është kjo Agnesa, e cila vetëm katër ditë i kishte kur u detyrua ta lëshonte Kosovën së bashku me nënën e saj nga Klladërnica në Shqipëri në këmbë. Kjo ishte edhe dita kur Muhameti u nda nga ajo me shpresën që do t’i shihte prapë. E gjithë kjo luftë për mbijetesë ishte që Agnesa mos të mbetet pa baba, që kur të kthehet një ditë, të ketë kush ta presë. E gjithë forca erdhi prej saj, thotë ai. “Ishte motivi që mos ta mendoj vdekjen asnjëherë, mos të rrëzohem, por të ngritem prapë në këmbë, edhe pse ndonjëherë forca shterohej.”

Agnesa do të kthehej tashmë në Kosovën e lirë, por Hamdiu nuk do të vinte, edhe pse Muhameti e kërkoi gjatë. Plot dy vjet pas luftës, ai do ta gjente trupin e tij në Mitrovicë. ‘‘E kishin pushkatuar, ai i kishte pesë plumba në gjoks dhe një në kokë”, tregon mes lotësh Muhameti.

Tani ai ka pesë vajza dhe, përveç rrugës që të dërgon në shtëpinë e tij e që e mban emrin “Hamdi Hasanaj’’, ky emër dëgjohet prapë në këtë shtëpi pasi djali i Muhameti, 3-vjeç, e mban emrin e gjyshit të tij. Muhameti, veç tjerash, e mban një amanet nga babai. Ai është që mos ta lëshonte Kosovën asnjëherë. Ai kishte thënë: “Nëse vdes unë dhe shpëton ti, amanet ta la që ti edhe fëmijët tu mos me i qitë prej Kosove, se me pas dashtë kom mujtë met marrë ty dhe nusen tane, pare kom pas met qu në Gjermani, por e di që nuk mu kishe kthy kurrë”, përfundon rrëfimin Muhameti.

*Albijona Hoxhaj është studente e Departamentit të Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz