Nëse e zgjidhni kanalin “Tribuna Channel” tani në televizorin tuaj, nuk do të mund të shihni kurrgjë – vetëm zi.
Ka disa ditë që ky televizion privat kosovar, i cili ishte hapur në fillimin e vitit 2015, nuk po transmeton më përmbajtje.
Si në platformat tokësore, ashtu edhe në ato satelitore, sinjali i “Tribuna Channel”-it është i vdekur.

Madje, edhe portali simotër i këtij televizioni, “Gazeta Tribuna”, ka ndërprerë botimin e lajmeve që dy ditë.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me udhëheqësit e “Tribuna Media Group”, që ka në pronësi këto dy media, por nuk ka arritur të bisedojë me ta, për të mësuar arsyet e ndërprerjes së funksionimit të televizionit “Tribuna Channel”-it dhe portalit “Gazeta Tribuna”.
Prej vitesh, kjo kompani është përballur me probleme financiare dhe me largime të vazhdueshme të punonjësve, një numri të madh të të cilëve është raportuar se ende i ka borxh dhjetëra mijëra euro gjithsej.
“Tribuna Media Group” udhëhiqet nga Sejdi Demiri dhe bashkëshortja e tij, Besiana Hoti-Demiri, e cila njëherësh është e bija e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti.