Me publikimin e një fotografie të Presidentit Hashim Thaçi, ku shihet duke mbajtur gishtin e madh i cili është simbol i PDK-së, ka filluar debati rreth asaj se po i kthehet sërish kësaj partie.
Madje dikush këtë veprim të Thaçit, nuk po e sheh si rikthim, por vetëm si sinjal si ai akoma vazhdon të jetë shefi i PDK-së.
Kështu së paku mendon njohësi i çështjeve politike Krenar Shala. Ai ka theksuar se Thaçi vazhdon të mbetet kryetar de fakto i PDK-së dhe se ai nuk për bën një figure unike siç duhet ta ketë Presidenti.
“Nuk besoj që dikush ka dyshime që Presidenti Thaçi, duke e patur parasysh sesi është zgjedhur, nuk përbën figurë unike ashtu siç parashihet me Kushtetutë dhe se nuk ka dyshim që ai vazhdon të mbetet kryetar de facto i kësaj partie”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër drejtori i KDI-së Ismet Kryeziu, në formë ironie tha se Presidenti Thaçi “po duket qenka rikthyer ne PDK, edhe presidencën po ja bartka kryetarit të kuvendit Kadri Veseli.”
Tutje, Kryeziu vazhdoi duke thënë se kjo fotografi ku presidenti identifikohet me simbol të PDK-së, “rritë spekulimet dhe teoritë konspirative”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ndryshe, sot janë bërë pesë ditë nga dorëheqja e parevokueshme e Kryeministrit Ramush Haradinaj, por Presidenti Thaçi akoma nuk ka shprehur vullnet për të thirrur krerët e partive politike në një takim konsultativ, për të arritur një marrëveshje se si të veprohet më tutje.
Ramush Haradinaj, të premten e kaluar, ka hequr dorë nga kreu i Qeverisë, pas ftesës për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar./Gazeta Blic/