Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka propozuar që zgjedhjet për kryetar të kësaj partie të mbahen para 3 gushtit, datë tashmë e caktuar nga kryesia për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor.
Ai ka thënë se situata politike në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, kërkon që zgjedhjet të mbahen më herët për të ditur rrugën e partisë.
“Caktimi i datës së mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të LDK-së më 3 Gusht 2019, fillimisht ishte një datë e mirëzgjedhur, por meqenëse gjendja politike aktuale e krijuar kërkon që këto zgjedhje të afrohen sa më shumë në mënyrë që të përcaktohet Kryetari i cili vazhdon apo merr përgjegjësi te reja, në varshmëri nga votat dhe kandidatura e ofruar”, ka shkruar ai në Facebook.
“Në rastin e parë të rizgjedhjes së Kryetarit aktual të LDK-së, z. Isa Mustaafa ja fuqizon edhe njëherë mbështetjen për të qenë më afër këtyre proceseve me rëndësi, por edhe në rastin tjetër do i jap mundësi të rikuperoi dhe filloi së punuari me fuqi të plotë, sepse në të gjitha rastet Kosovën dhe në këtë kontest edhe partinë më të madhe dhe më të fuqishme e cila mund t’i shtyjë proceset e mëdha përpara”, ka vazhduar ai.
Sipas Kelmendit, heshtja e ndërkombëtarëve për situatën e fundit në Kosovë tregon që nevojitet pjekuri politike e LDK-së për të ardhmen. Ai ka thënë se sa më larg që mbahen zgjedhjet shtohet mundësia e ndërhyrjes për përçarje në LDK.
“Dihet që politika vendore është e ndarë në dysh, rreth taksës, bisedimeve me Serbinë dhe temat aktuale që po ofrohen. Heshtja e Bashkësisë Ndërkombëtare tregon që nevojitet një pjekuri politike e LDK-së për të ardhmen e vendit. Njëkohësisht është e njohur që deklaratat e ndryshme për temën e njëjtë dhe mundësia e ndërhyrjes për të përçarë anëtarësinë e LDK-së është më e madhe nëse koha është më e gjatë. Prandaj, sugjeroj që zgjedhjet me rëndësi për LDK-në në rend të parë dhe për Kosovën dhe qytetarët e saj në rend të dytë të mbahet më herët, para datës 3 Gusht”, ka shkruar ai.