Kryetari i Komunës, z.Bekim Jashari së bashku me drejtoreshën e Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Ambientit, znj.Sanije Ahmeti me bashkëpunëtorë, kanë inspektuar sot fillimin e punimeve të realizimit të projektit infrastrukturor, përkatësisht asfaltimin e rrugës Açarevë – Plluzhinë.
Me realizimin e këtij projekti po përmbushet premtimi i kryetarit Jashari, për investime në rrugë në fshatrat e komunës sonë.
“Një premtim dhe konstatim i asaj që e kemi thënë, se investimet kapitale dhe të mirat që ofrohen nga Komuna e të gjithë qytetarëve që jetojnë në të, do të shtrihen gjithandej, madje edhe në zona të thella, të lëna në harresë, siç është fshati Açarevë, një vend si ky që e lidh historia me luftën e lavdishme çlirimtare”, ka thënë kryetari Jashari.
Janë 3,200 metra gjatësi e rrugës nga Açareva deri në Plluzhinë, që janë planifikuar vitin e kaluar, e të cilat kanë filluar të asfaltohen, për të gjithë qytetarët e lagjeve dhe këtyre fshatrave, për të lehtësuar jetën e tyre dhe qarkullim të ndjeshëm.
Komuna e Skenderajt po vazhdon me angazhime pa pushim, të rregullojë infrastrukturën rrugore në gjithë territorin e komunës sonë, me qëllim që të rritet cilësia e jetës së qytetarëve tanë.
Kryetari Jashari ka thënë se gjatë të premtes do të njoftohet publiku për fillimin e punimeve të një projekti tjetër.





