Ministrja e Punëve të Jashtme e Norvegjisë , Ine Eriksen Søreide në një konferencë për medie që pati me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka kritikuar liderët e vendit dhe klasën politike për mos koncencusin dhe mos bashkëpunimin që ata kanë në mes vete, raporton Gazeta Blic.
Ajo tha se në takim me Pacollin kanë biseduar për çështje të ndryshme, si liberalizimi i vizave dhe marrëdhëniet në mes dy vendeve.
“Kemi një ardhme shumë të ngushtë dhe të fuqishme dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë në mënyrë politike dhe tregtare. Ne jemi mbështetës të plotë në ambiciet e Kosovës për të marrë pjesë në BE”, tha ajo.
Kurse për të qenë pjesë e proceseve euro atlantike ajo tha se Kosovës i duhet një lidership më i fuqishëm.
“Por pjesëmarrja në integrimin euroatlantik bazohet në kritere specifike dhe vullnetin për reforma dhe kërkon shumë reforma por edhe lidership më të fuqishëm, koncencus më të madh dhe bashkëpunim mes partive politike”, tha ajo.
Ajo ka folur edhe për taksën 100% ku tha se Norvegjia është për një tregti të lirë dhe se ajo si e tillë duhet larguar në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut kosovë Serbi.