Ai do të jetë pjesë e “Dardanëve” që nga ndeshjet e shtatorit kundër Anglisë dhe Çekisë.

Sa ndeshje i ka luajtur dhe sa gola i ka shënuar në Bundesliga sezonin 2018/19?
Muslija është vetëm 20-vjeçar dhe edicionin që lamë pas ka luajtur disa ndeshje me Hannoverin në Bundesliga, ndërsa pritet të ketë më shumë minuta në sezonin 2019/20.
Ai ka shënuar 2 gola në 17 paraqitje në Bundesliga, në total ka luajtur 645 minuta.

Talenti i Kosovës shënoi në ndeshjen e parë në Bundesliga në humbjen e Hannoverit 4-1 nga Frankfurti, derisa goli i dytë erdhi kundër Leverkusenit, një gol shumë i bukur nga gjuajtja e lirë që u zgjodh i treti më i mirë në xhiron e tetë të Bundesligas.
Cilësitë e Florent Muslija
Ai njihet si një lojtar me teknik të jashtëzakonshme dhe goditje të fuqishme, më së miri e tregon edhe goli kundër Leverkusenit në Bundesliga si dhe lëvizje magjike që i bën në fushë sa herë i jepet rasti të luajë.
Pozita e preferuar e Florent Muslija?
Muslija ka luajtur në disa pozita te Hannoveri sezonin që lamë pas.
Atij i pëlqen të luajë edhe anësor, përveç pozitës së mesfushorit ofensivë që e bën më së miri.
Edicionin e kaluar, Muslija i luajti 6 ndeshje anësor i majtë, 6 anëso i majtë dhe 9 ndeshje mesfushor sulmues – pozita që e do më së shumti.
2 ndeshje i ka luajtur si mesfushor i majtë, kurse njëherë është paraqitur edhe në rrolin e mesfushorit defensivë.

Cila është vlera në treg e talentit që iu bashkua Kosovës?
20-vjeçari i lindur në Gjermani është pjesë e Hannoverit, skuadër me të cilën edicionin që lamë pas shënoi dy gola në 17 paraqitje.
Sipas “Transfermarkt”, vlera e 20-vjeçarit është 3 milionë euro.
Muslija është lojtar me të ardhme të ndritur. Ai ka kontratë me Hannoverin deri në qershor të vitit 2022.

Fjalët e para të Florentit pasi i tha PO Kosovës
Florent Muslija është shprehur shumë i lumtur që do ta veshë fanellën e Kosovës.
“Jam i lumtur që sot i bashkëngjitëm Dardanëve. Do të jap maksimumin për të arritur maksimumin me rezultate”, tha ai.
“I falënderoj të gjithë, FFK-në dhe familjen time që më ka përkrah gjithmonë”.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi: I lumtur që një dardan iu bashkëngjit Dardanëve
Agim Ademi pati vetëm fjalë të mira për prurjen e re të Kosovës, Florent Muslija.
“Jam shume i lumtur që iu bashkëngjit një dardan ekipit tone të dardanëve. Ky është Florent Musliu një futbollist të cilit i dihen kualitetet e tij dhe më gëzon fakti që familja e tij dhe ky vet janë dhe kanë qenë të interesuar t’i bashkohen Kosovës dhe të japin kontributin e tyre që Kosova të arrijë rezultate sa më të mira”, u shpreh numri një i FFK-së, Agim Ademi.

“Natyrisht që një falënderim shkon edhe për Fehmi Kongjelin i cili bashkarisht me Besim Zenelin që kanë qenë ata promotorët që kanë biseduar me Florentin dhe kanë ardhë deri këtu ku sot ne e nënshkruajmë marrëveshjen dhe jemi bashkërisht me “Dardanët”, tha ai.
“Shpresoj dhe besoj që rrugës së Florentit do të shkojnë edhe talentë të tjerë të cilët janë me prejardhje nga Kosova dhe faktikisht do ta bëjnë Kosovën atë që ne e kemi ëndërr”.
“Ne Dardanët do të vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi dhe Florentit i uroj suksese, shëndet dhe të gjitha të mirat në ekipin tonë. Urime Florent! Faleminderit që e zgjedhe Kosovën”.

Talenti i “Dardanëve” mund të bëjë debutimin me Kosovën me shtatë shtator kundër Çekisë, duke parë edhe mungesën e Arbër Zenelit, i cili do të jetë jashtë fushave nga 7 deri në 9 muaj. /Gazeta Express/