Një person është lënduar si pasojë e një aksidenti që ndodhi sot në Skenderaj.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë.
“Sot me datën 07.06.2019 rreth orës 10:40, ne rrugën “18 Qershori” Skenderaj ka qenë një aksident trafiku me lëndime. Te involvuar ka qenë një motoçiklist dhe një këmbësor”, kanë thënë nga Policia.
Siç raporton Gazeta Express në aksident ishte i përfshirë djali i nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i moshës së mitur, i cili e ka goditur këmbësorin në fjalë.
Këmbësori i goditur është jashtë rrezikut për jetë, mirëpo është dashur që të sillet në QKUK për tretman.
“Viktima (këmbësori) ndihmën e parë e ka marrë në QKMF -Skenderaj, ku për tretman të mëtutjeshëm është dërguar në QKUK, dhe është jashtë rreziku për jetë”, njofton policia.
Ndryshe burimet kanë thënë se djali i Lushtakut është rreth 15 vjeçar./GazetaExpress