Një deklaratë e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Halitit, se të gjithë ‘i kemi nga dy-tre milionë euro’ pati bërë bujë të madhe, për shkak të gjendjes sociale jo aq të favorshme të qytetarëve të shumtë në vend.
Atëherë, ai pati thënë që i ka diku një milion euro pasuri, por jo më shumë.
Në deklarimin e pasurisë, Haliti në fakt ka bërë të ditur se ai personalisht ka mbi një milion euro, raporton Periskopi.
Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, si pasuri të paluajtshme Haliti ka deklaruar tokë pyjore në vlerë prej 20 mijë euro, tokë bujqësore në vlerë prej 400 mijë euro, shtëpi familjare, në vlerë prej 200 mijë eurosh, shtëpi tjetër familjare po ashtu në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe një banesë me vlerë të njëjtë me dy shtëpitë.
Tek pasuria e luajtshme, Haliti ka deklaruar një automjet Land Rover, në vlerë prej 5 mijë eurosh, si dhe stoli ari në pronësi të tij në vlerë prej 10 mijë eurosh, ndërsa stoli në pronësi të gruas 15 mijë euro.
Ai ka deklaruar mbi 132 mijë euro para të gatshme, të mbajtura në institucione financiare.
Nga Kuvendi i Kosovës, ai merr pagë vjetore 29,708,99 euro, ndërsa mëditje në vlerë prej 5.299.60 euro.

