Kjo, sipas Kryeshefit ekzekutiv, Agron Thaçi, po ndodh për shkak të mungesës së subvencioneve dhe mosshfrytëzimit sa duhet të këtij transporti, raporton KTV.
Ai thotë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Infrastrukturës duhet të mbështesin financiarisht ndërmarrjen në të kundërtën paralajmëron se mund të ndërpritet transporti hekurudhor.
Kërkesën e tij e mbështet në Ligjin për hekurudhat.
Por Ministria e Infrastrukturës nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se obligimet financiare ndaj “Infrakos”-it nuk janë në kompetencë të saj, por të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Sipas zyrtarëve të MI-së, ata kanë kompetencë të përcaktojnë politika zhvillimore të infrastrukturës hekurudhore dhe të japin opsione për investime në këtë fushë.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, MI-ja bën rregullimin e ligjeve dhe akteve nënligjore në fushën e hekurudhave, përcakton politika zhvillimore të infrastrukturës hekurudhore si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar dhe jep opsione për investime në zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore, siç është rasti i modernizimit të hekurudhës Hani i Elezit – Leshak”, ka thënë Fillojetë Konjuhi, zyrtare e lartë shtypi në kabinetin e Ministrit.
E MZHE-ja e pyetur nga KTV-ja lidhur me telashet financiare të “Infrakos”-it, vetëm ka treguar se për 2019 janë alokuar më shumë se një milion e gjysmë mjete financiare për këtë ndërmarrje.
800 mijë euro sipas kësaj ministrie janë dhënë vetëm për projekte kapitale, derisa për subvencione rreth 600 mijë euro.