Drenica të dielën e zhvilloi ndeshjen vendimtare për mbijetesë në IPKO Superligë. Por, kryetari i saj, Ragip Veseli, nuk ishte pranë kuqezinjve. Ai ishte në Drenas, ku deri vonë zyrtarisht ishte anëtar i Bordit të Feronikelit. Por, pozita e lartë që e ka në Drenicë nuk po e largon dot nga Feronikeli. Veseli mori medalje kampioni si anëtar i Feronikelit. Dhe atë ia dorëzoi kryetari i shtetit, Hashim Thaçi, bashkë me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, me të cilin Veseli shtrëngoi duart dhe u uruan.
Derisa Drenica po e zhvillonte ndeshjen vendimtare për t’iu shmangur barazhit kundër Lirisë, në të njëjtën kohë, kryetari i kuqezinjve, Ragip Veseli, ndodhej në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në ndeshjen vendimtare për titull të Feronikelit kundër Prishtinës, raporton Gazeta Express.
“Nikli” e fitoi ndeshjen e bashkë me të edhe titullin e kampionit të Kosovës, ndërsa Veseli festoi baras me gjithë anëtarët tjerë të klubit gjelbër e bardh.
Për më tepër, Veseli ishte pjesë e listës së Feronikelit, stafit të të cilit u janë shpërndarë medalje kampioni bashkë me trofeun e kampionit.
Medaljet ekspeditës së Feronikelit ua ndanë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, bashkë me presidentin e shtetit, Hashim Thaçi dhe me kryetarët e Komunave të Drenasit dhe Skenderajt, Ramiz Lladrovci dhe Bekim Jashari.
Në një video që e ka Gazeta Express presidenti i FFK-së, Agim Ademi, shihet duke i shtrënguar duart me kryetarin e Drenicës teksa i njëjti po e merrte medaljen si kampion me Feronikelin.
Drenica dhe Feronikeli njihen për rivalitet të moçëm. Por, gjithçka ka nisur të ndryshojë në këtë vit. Ragip Veseli ishte anëtar i bordit të Feronikelit si një njeri i besueshëm dhe i afërt me kryetarin e pasur të Feronikelit, Naser Rama.
Ky i fundit ishte sjell në Feronikel nga me përkrahje të kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci. Numri 1 i Drenasit është mik i ngushtë i kryetarit të Skenderajt. Bekim Jashari e kishte mbështetur Ragip Veselin në postin e kryetrarit të klubit të Drenicës.
Kjo kishte ngjallur reagime të tifozëve të Drenicës, të cilët posa ishte emëruar Veseli në postin e kryetarit, i kishin vërshuar rrjetet sociale duke shpreh bindjen e tyre se Drenica po bëhej “shërbëtore” e Feronikelit. Pastaj, nga Feronikeli ishin transferuar në Drenicë disa lojtarë, kurse emri i Veselit ishte hequr nga ueb faqja zyrtare e Feronikelit, ku ai ishte anëtar i bordit.
Në Skenderaj dhe Drenas të gjithë thonë se kryetari i Drenicës është anëtar i Feronikelit dhe se ky është një sekret publik.
Por, dalja e Veselit në skenë me ngjyrat e Feronikelit, duke marrë medalje kampioni me klubin gjelbër e bardh, e duke e lënë Drenicën anash në ndeshjen vendimtare për mbijetesë, nuk do koment.
Gazeta Express e ka kontaktuar Ragip Veselin. “Jo, gabim jeni”, u përgjigj ai në telefon. Por, njerëz të afërt të tij konfirmuan se numri i tij i telefonit ishte pikërisht ai në të cilin e kontaktoi Gazeta Express.
FFK: Një njeri në dy klube, konflikt interesi
Edhe pse kryetari i Drenicës, Ragip Veseli, mori medalje kampioni me Feronikelin nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, në shtëpinë e futbollit thonë se nuk janë në dijeni që Veseli mban pozita në dy klube.
““Askush nuk ka të drejt të jetë udhëheqës në dy klube. Një gjë e tillë paraqet konflikt të pastër të interesit. Ne nuk jemi në dijeni që kryetari i Drenicës është në Feronikel. Në listat zyrtare që ne i kemi ai nuk figuron si zyrtar I Feronikelit”, deklaroi për Gazetën Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Vlen të theksohet se Drenica në kampionatin e fundit në ndeshjen e xhiros së dytë kishte barazuar me Feronikelin, kurse i ka humbur dy ndeshjet pasuese nga komshiu. Tifozët e Drenicës dy-tri herrë në këtë edicion e kanë akuzuar ekipin e tyre për fiksim të rezultateve duke ia pushtuar me fyerje e kritika faqen zyrtare të klubit në rrjetet sociale. /GazetaExpress/

