Është lëshuar fletarrest për ish-eprorin e UÇK-së, Sabit Gecin, i cili është i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile dhe për armëmbajtje pa leje.
Geci aktualisht gjendet në Stamboll të Turqisë ku po merr tretmanet mjekësore nevojshme për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar, ka bërë të ditur për Klan Kosova avokati i tij Haxhi Millaku.
Millaku gjithashtu tha se i ka dorëzuar të gjitha dokumentacionet e nevojshme në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, për mundësinë e pezullimit të vendimit, për shkak të gjendjes shëndetësore të Gecit.
“Kryetari i Gjykatës e ka refuzuar. Nuk i është aprovohet shtyrja edhe pse gjendja e tij shëndetësore është mjaft e rëndë. Kam bërë ankesë në Gjykatën e Apelit me datën 30 prill, mirëpo apeli ende nuk ka marrë vendim. Në këtë vakum deri sa të vendosë apeli, ata në mënyrë formale e kanë lëshuar fletarrestin” ka thënë Millaku.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se policia ka vizituar edhe familjen e Gecit dhe kanë dashur të vërtetojnë se mos ai gjendet në liri e jo në spital.
Gjykata e Apelit e kishte aprovuar më 2.11.2018 ankesën e avokatit të Sabit Gecit, i cili kishte kërkuar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh nga dita e lirimit nga Burgu i Dubravës. Qendra Korrektuese në Dubravë e ka pranuar në të njëjtën ditë vendimin e Apelit dhe të njëjtën ditë e kishte liruar të dënuarin. Sipas aktvendimit, Sabit Geci ka pasur të lajmërohet në mbajtje të dënimit në Dubravë më 2 maj 2019. Por, për shkak se i njëjti nuk është lajmëruar në datën e caktuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta arrestojë Sabit Gecin dhe ta sjellë në burg.