Ata ishin mbledhur jashtë qendrës sportive “Zingonia” për të pritur plot entuziasëm, tym e flakë skuadrën e zemrës. Shumë kore frenetike për lojtarët, por sidomos për Gasperini, më të lavdëruarin. Në “Zingonia” janë të gjithë: fëmijë, të rritur, familje. Fotoja e ditës është një fëmijë mbi shpatullat e babait, i cili i përshëndet idhujt e tij.
Atalanta po kalon një moment historik për klubin dhe tifozët e saj, të cilët e mirëpritën skuadrën ashtu siç duhet. Ata e kishin bërë tashmë këtë edhe pas fitores në “San Paolo”, kundër Napolit, por tani besojnë vërtet te përmbushja e ëndrrës së madhe. Zikaltërve u kanë mbetur të luhen edhe 3 ndeshje: kundër Genoa, Juventus dhe Sassuolo. 7 pikë në këto tri sfida janë të nevojshme për një ëndërr kaq të madhe, Champions-in.