Barcelona dhe Liverpool do të takohen sonte me fillim nga ora 21:00, në kuadër të ndeshjes së parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Trajneri i njohur, tashmë analisti, Jose Mourinho ka komentuar duelin mes dy gjigantëve botëror, ku analizon skuadrat dhe ndeshjen që na pret sonte në ‘Camp Nou’, përcjell GazetaBlic.
Portugezi tha se skuadrat që luajnë kundër Barcelonës duhet të krijojnë “një kafaz” të lojtarëve rreth Lionel Messit në qoftë se duan të kenë ndonjë shans për të ndalur numrin 10.
Por Mourinho gjithashtu numëroi edhe avantazhet e Liverpoolit përpara ndeshjes së parë në Camp Nou.
“Virgil van Dijk është fenomenal, Firmino, Salah dhe Mane shënojnë jashtëzakonisht shumë”, tha fillimisht Mourinho.
“Më tregoni një lojë ku Salah, Firmino, Mane nuk shënuan. Është shumë e rrallë. Realiteti është se Liverpooli ka luajtur finalen e kaluar, dhe këtë sezon ata janë në gjysmëfinale dhe sipas mendimit tim, 50 për qind kanë shanse për të qenë sërish në finale.”
“Nëse nuk do të ishte Messi, Liverpooli do të ishte favorit, por me Messi është Messi… Unë mendoj se nëse Barcelona luan në Liverpool sikur në Old Trafford, atëherë do të ketë telashe”, përfundoi ai.