Mbrëmë pas përfundimit të Samitit të Berlinit, ku të pranishëm ishin vendet e Ballkanit Perëndimor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e tha qartazi se nuk kanë marrë lajme pozitive nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, për liberalizim të vizave për kosovarët, shkruan Gazeta Blic.
“Kosova ka theksuar shumë qartë se i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai.
“Sepse, diçka të tillë Kosova e meriton, qytetarët e Kosovës e meritojnë”, është shprehur presidenti kosovar.
“I kemi implementuar standardet dhe kriteret e nevojshme. Nëse kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt, do të jetë një zhgënjim i madh”, ka thënë Thaçi.
“Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, edhe vetë Thaçi kur ishte kryeministër, por edhe shumë zyrtarë tjerë kosovarë, shumë’herë iu thanë qytetarëve “urime liberalizimi”.
Ishte data 4 maj 2016, vetëm pas kohë kur u bë president, kur Hashim Thaçi, në mënyrë publike iu tha qytetarëve të Kosovës: Urime liberalizimi i vizave”.
Por, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, jo vetëm atëherë, por edhe tash kur po kalojnë tri vjet nga ai postim i Thaçit.
Presidenti, pati zgjedhur Facebook-un, që t’ua kumtojë lajmin kosovarëve për liberalizim të vizave.
“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për EUFA-n dje. Jave historike. HTH”, kishte shkruar Thaçi.

Por, jo vetëm si president, Hashim Thaçi, që nga viti 2010, në kohën sa ishte kryeministër, vazhdimisht kishte dhënë premtime që liberalizimi i vizave është çështje ditësh.
Në fushatën zgjedhore të vitit 2010, ai u pat shprehur i bindur që liberalizimi i vizave do të ndodhë po atë vit. Por, që kosovarët, tash e tetë vjet nga ai premtim i Thaçit, vazhdojnë të jenë të vetmit në Evropë, që nuk mund të udhëtojnë lirshëm pa regjimin e vizave.
Edhe tashmë këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku, sa ishte ministër i Integrimeve Evropiane ishte zotuar se si udhëheqës i këtij procesi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës do të bëhet në vitin 2016. Madje, ai në zyrën e tij kishte festuar me shampanjë, duke i uruar qytetarët kosovarë, pë siç thoshte ai: liberalizimin e vizave.

Por, edhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, në qeverinë Mustafa, Arban Abrashi, më 4 maj të vitit 2016, kishte bërë një Facebook, duke shkruar: Urime liberalizimi i vizave, urime Kosovë.
Një premtim të tillë, e kanë dhënë tashmë zyrtarët e qeverisë Haradinaj. Përveç kryeministrit, pothuajse të gjithë krerët më të lartë të shtetit, u patën shprehur të bindur se fundi i vitit të kaluar do të jetë momenti kur në Kosovë do të ndodhë liberalizimi i vizave. Por, as në kohë nuk pati ndodhur, teksa pritet që diçka të re të ketë tek në vitin 2020.



