Kryetari i Komunës, z.Bekim Jashari, ka pritur një delegacion nga komuna e Osmangazit të Turqisë, i udhëhequr nga asamblisti i porsazgjedhur i Asamblesë, z.Bajram Këlëç, dhe përfaqësuesit e Shoqatës Kulturore “Kosova dhe Shkupi H-1999 Bursa”.
Delegacionit i është rezervuar pritje vëllazërore, meqë të gjithë janë me prejardhje shqiptare, të cilët edhe pse janë lindur dhe rritur në Turqi, kanë mundur ta ruajnë gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare, duke e mbajtur të gjallë edhe lidhjen me vendlindjen e të parëve të tyre.
Në takim janë diskutuar tema që kanë për qëllim investimet turke në komunën e Skenderajt.
“Do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe do të vihemi në dispozicion të të gjithë investitorëve të shtetit mik të Kosovës, që një pjesë e kapitalit të tyre të investohet edhe në Skenderaj”, ka thënë kryetari Jashari.
Vizita e delegacionit turk në Skenderaj ka përfunduar me lutje për dëshmorët e kombit në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prekaz dhe vizitën te Kulla e Rezistencës.