Ish-pjesëtari i UÇK-së Muhamed Kuka, ka marrë mbështetje financiare për shërimin e vajzës së tij Pranverës nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” edhe Gazmend Syla, këshilltar i kryeministrit Haradinaj për çështjen e veteranëve. Sipas tij, në formë jo zyrtare në një nga aktivitetet e organizuara nga Qeveria, ish-pjesëtari i UÇK-së Kuka, ka kërkuar ndihmë për shërimin e vajzës së tij dhe i janë ndarë fonde simbolike nga Zyra e Kryeministrit.
“Një kërkesë të vetme e ka pasur, në një aktivitet që e kemi pasur. Jemi interesuar dhe i kemi dhënë një shumë simbolikës prej Zyrës së Kryeministrit, jo nga ana e Qeverisë, pra 3 mijë euro nga buxheti i zyrës së Kryeministrit”, tha Syla.
Ndërkohë “Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë një përgjigje lidhur me rastin e vajzës së këtij ish-luftetari nëse kanë ndarë fonde për shërimin e saj, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Ndryshe, vet Kuka ka pohuar për “Gazeta Blic” se për 7 herë me radh ka kërkuar ndihmë financiare nga institucionet e vendit por nuk ka gjetur mbështetje.