Një 28 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të pësuara nga shembja e një pjese të mureve të objektit të ish hotel Adriatikut në Mitrovicë.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 17:00 të datës 22 prill 2019, në kohën kur viktima dhe disa punëtorë të tjerë ndodheshin duke punuar në objekt, ku si pasojë e shembjes viktima kishte mbetur nën rrënoja.
Në vendin e ngjarjes në kërkim shpëtim të viktimës janë angazhuar të gjithë mekanizmat përkatës të shërbimeve emergjente si dhe njësi të FSK-së, ku pas disa orë kërkimi rreth orës 00:10 të mesnatës nga rrënojat është nxjerrë trupi i pajetë i viktimës V. B., 28 vjeçar.
Pas përfundimit të procedurave në vendin e ngjarjes, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
Veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes janë duke u zhvilluar nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, ndërveprimet e para janë intervistuar disa dëshmitarë, ndërsa në cilësi të të dyshuarave si punëdhënës dhe punëkryerës janë arrestuar dy persona, të cilëve me aktvendim të prokurorit të rastit u është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Rasti është iniciuar dhe po hetohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ me pasojë ‘vdekje’. /Drenica Press/