Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme në rast se në këtë kauzë Nismës Socialdemokrate i bashkohet edhe opozita. Në deklaratat e fundit partneri i koalicionit qeverisës është shprehur i gatshëm ta rrëzojë Qeverinë nëse nuk merr një përfaqësues politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkruan “Zëri”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se një anëtar në KQZ i takon PDK-së dhe për anëtarin tjetër të PAN-it duhet të merren vesh mes vete partitë tjera të koalicionit.
Duke mos i komentuar deklaratat e Nismës për rrëzim të Qeverisë, Beqa u shpreh se PDK-ja nuk i bashkohet Nismës në rrugëtimin e saj drejt Gjykatës Kushtetuese, porse pranon secilën mundësi ligjore që i jepet.
“Ne si PDK e kemi një anëtar dhe një anëtar tjetër është për subjektet e koalicionit që përbëhet nga AAK-ja, Nisma dhe të tjerët, ata duhet të merren vesh mes vete. Ne prapë i kemi pritur që kur t’i dërgojmë emrat t’i dërgojmë bashkë, por ne i kemi parë deklaratat e Nismës që është e interesuar që këtë çështje ta çojë përmes Gjykatës Kushtetuese, atëherë ne do të presim”, ka thënë Beqa për “Zërin”.
Ai theksi se çdokush brenda PAN-it që është konfuz për përfaqësimin në KQZ mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Presidenti e ka bërë dekretimin, ne e shohim që është një paqartësi brenda PAN-it, ata të cilët në këtë rast janë konfuzë mund t’i drejtohen organit përkatës, që është Gjykata Kushtetuese, çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është i zbatueshëm dhe i pranueshëm edhe për ne si Parti Demokratike.


