Një numër goxha i madh i vendbanimeve, respektivisht fshatra nga anë të ndryshme të Republikës së Kosovës ka vite që kanë kërkuar dhe ende po presin që të bëhen komuna.
Në sirtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nga viti 2016 qëndrojnë 19 kërkesa për themelimin e komunave të reja, por asnjë nga ato kërkesa deri tani nuk është plotësuar.
Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal tregojnë arsyen pse nuk janë plotësuar këto kërkesa.
Zyra për komunikim me publikun e MAPL-së sqaron se gjithë kërkesat e adresuara kanë përmbajtur vetëm një përshkrim sipërfaqësor, duke mos dhënë as numrin e banorëve dhe elemente të tjera të rëndësishme që mundësojnë një vendbanim për t’u bërë komunë.
“Në Ministritnë e Administrimit të Pushtetit Lokal janë paraqitur 19 kërkesa për themelimin e komunave të reja, për të cilat kërkesa MAPL e ka njoftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kërkesat e adresuara kanë përmbajtur vetëm një përshkrim sipërfaqësor, nuk tregojnë numrin e banorëve, arsyeshmërinë ekonomike, si dhe shumë elemente të tjera që janë të domosdoshme për një komunë potenciale”, thuhet në një përgjigje të MAPL-së dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Mësohet se Runik nga Komuna e Skenderajt dhe Komorani nga Komuna e Gllogocit, janë në mesin e atyre vendbanimeve që po kërkojnë të bëhen komuna.



