Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka pohuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po e voton platformën shtetërore e as ligjin për dialog vetëm sepse po dëshiron të hyjë në një qeveri gjithëpërfshirëse.
“Nuk po dëshirojnë me u miratu as platforma e as ligji për dialog, sepse pas disa ditësh do të vijnë disa përfaqësues nga Evropa, dhe LDK po e shtyn këtë për interesa partiake, sepse ata do t’i thonë më pas se nuk ka qeveri stabile e të bëhet një qeveri gjithëpërfshirëse dhe të hyjnë edhe ata”, tha Molliqaj.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj. Në rend të ditës janë dy pika, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-145 për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Dhe shqyrtimi i Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë./Gazeta Blic./