I pari i Qeverisë ka folur edhe sot gjatë ditës për ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, të cilën ditë më parë e quajti ambasadore të Thaçit. Nga Gjilani, kryeministri sqaroi se pavarësisht se Çitaku disa herë e ka paraqitur mirë interesin e vendit, ka dyshime të bazuara mirë se në Uashington ajo nuk ka paraqitur realisht gjendjen reale dhe atë çka mendon lidershipi kosovar, shkruan Gazeta Express.
“Është e vërtetë se ambasadorja në raste të caktuara e ka paraqitë shumë mirë interesin e vendit, por, kur na kemi keqkuptime me Uashingtonin atëherë ka dyshime të bazume se arsyet për keqkuptim janë edhe mosparaqitja e gjendjes reale në vend se çka mendon lidershipi për temat e vendit”, deklaroi Haradinaj.
Tutje, ai shtoi se këto rrinë vetëm keqkuptime, por, nëse të njëjtat përkeqësohen ambasadorja do të ketë përgjegjësi.
“Këto rrinë keqkuptime nëse ka përkeqësim si po thuhet të marrëdhënieve atëherë gjithë e kemi një bazë të përgjegjësisë duke e përfshirë edhe ambasadoren”, përfundoi ai.
Haradinaj para pak ditësh tha se është për keqardhje që Kosova nuk e ka një ambasadore të denjë në SHBA, duke shtuar se Çitaku është ambasadore e Thaçit në SHBA dhe jo e Kosovës.
Ndërkaq pas komenteve të Haradinajt, kishte reaguar edhe Çitaku. Ajo tha se nuk do të ketë asnjëherë kacafytje me kryeministrin e Kosovës.
Çitaku po ashtu ka shkruar se ajo nuk ka qenë asnjëherë selekive gjatë përfaqësimit të Kosovës në Amerikë, duke shtuar se nuk është faji i saj që në Kosovë nuk ka konsensus politik për tema të rëndësishme.


