Barcelona e ka siguruar një vend në finale të Kupës së Mbretit në përpjekje për ta mbrojtur trofeun, pasi e turpëroi Real Madridin midis Santiago Bernabeut duke e mposhtur 3:0 të mërkurën.
Luis Suarez shkëlqeu me dy gola, përfshirë një penallti që e realizoi me “panenka”, në fitoren e Barçës ndaj rivalit të moçëm Real Madridit në Bernabeu, raporton Gazeta Express.
Skuadra e Ernesto Valverdes kalon në finale me rezultat të përgjithshëm 4:1 pas dy ndeshjes, pasi ndeshja e parë në Camp Nou kishte përfunduar baras 1:1.
Real Madridi ishte dukshëm më i mirë në pjesën e parë, por Karim Benzema dhe Vinicius Junior dështuan t’i konkretizojnë rastet ideale iu ofruan.
Vizitorët nga Katalonja treguan tjetër fytyrë në pjesën e dytë, duke thyer akullin pas vetëm pesë minutave lojë.
Luis Suarez shënoi nga brendia e zonës pasi u shërbye nga Ousmane Dembele. Njëzet minuta para fundit, Raphael Varane shënoi në portën e tij.
Suarez, që bëri një ndeshje magjike në pjesën e dytë, fitoi vetë një penallti pasi u faullua në zonë nga Casemiro, shënoi me panenka nga pika e bardhë, një çerek lojë para fundit.
Lionel Messi pati një natë të qetë për standardet e tij.
Tani, Barça do ta kërkojë trofeun e 31-të në Kupën e Mbretit, kundër fituesit të gjysmëfinales mes Valencias dhe Real Betisit. /Gazeta Express/
https://www.youtube.com/watch?v=JIQAcm2tXIA