back to top
Monday, December 22, 2025
BallinaLajmeMinatorët përballen me kushte të rënda të punës

Minatorët përballen me kushte të rënda të punës

Të ngjajshme

- Advertisement -

Minatorët e Trepçës shënojnë sot 30 vjetorin e grevës së urisë, e cila qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku konsideron se minatorët ishin ata që filluan proceset e para për shtetëformimin e Kosovës. Megjithatë, Sadiku konsideron se edhe sot kushtet e punës për minatorë janë shumë të vështira.

Janë bërë 30 vite kur mbi 1 mijë e 300 minatorë kishin hyrë në grevë urie për të mbrojtur atëkohë atë pak  autonomi të Kosovës. Greva konsiderohet se ishte një hap i guximshëm nga i cili nisi edhe zhbërja e ish Jugosllavisë. Greva historike e minatorëve të Trepçës bëri  bujë të madhe në vend duke kaluar në rezistencë gjithë popullore, nga ku filloi edhe dridhja e themeleve të regjimit serb, që kishte për qëllim zhbërjen e popullit shqiptar të Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, tha për Radio Kosovën se edhe 20 vite pas përfundimit të luftës së fundit në vend, minatorët përballen me kushte të rënda të punës. Sadiku ka vënë në theks se do të duhej të bëhej një ligj i veçantë për minatorët.

”Ku nuk kanë asnjë ligj që u përcakton moshën e shkuarjes në pension, ku ne që njëzet vjet kërkojmë që të bëhet një ligj i veçantë për minatorët. Të gjithë minatorët të cilët punojnë në kushte të rënda në punë të pensionohen në moshën 55 vjeçare dhe të kenë një pension të dinjitetshëm. Fatkeqësisht pas 20 vitesh kemi minatorë nga miniera që dalin në pension si të pa punë dhe përfitimet e tyre mujore janë 75 euro”.

Sadiku u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të kthejnë kokën kah minatorët. Ai bëri thirrje në veçanti qeverisë së vendit të reflektojë në përmirësimin e kushteve për minatorët.

”Të kthejnë kokën kah minatorët dhe t’i zgjidhin këto problem. Minatorët ishin ata luanët e nëntokës që i shtynë këto procese, ku ishte një grevë madhështore, grevë politike dhe kërkesat ishin politike krejtësisht që të mbrohej Kosova.”

Greva e minatorëve të Trepçës, 30 vite më parë ishte grevë e cila bëri bujë edhe në mediet dhe qarqet diplomatike ndërkombëtare. Kjo ishte një kthesë që pasonte ngjarje të njëpasnjëshme të cilat përfshinë një dekadë duke mbaruar me luftëra dhe shkëputje të shteteve të cilat nuk po duronin politikat raciste serbe. Trepça ishte një gjigant i metalurgjisë dhe shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të asaj kohe. Ajo edhe sot vazhdon të jetë shpresa e ekonomisë së Kosovës, por për t’u këndellur asaj i nevojitet një riorganizim dhe përkujdesje më e madhe e institucioneve të Kosovës.

Për të shënuar 30 vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, aktivitete të ndryshme do të mbahen për një javë rresht, manifestimi qendror do të fillojë sot në Stan Terg. E gjithë ceremonia  për herë të parë do të mbahet nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Kurse, përmbyllja e aktiviteteve javore do të bëhet më 28 shkurt, ku do të bëhet edhe zbulimi një pllake përkujtimore të minatorëve, përballë Sheshit ”Isa Boletini”, në Mitorvicë.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz