Të premten me fillim nga ora 12:00, organizohet protesta “Pro mësimit, JO përdhunimit” për të kërkuar drejtësi ndaj rastit të shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të vajzës 16-vjeçare nga një mësimdhënës dhe polic në Drenas, shkruan Drenicapress.info
Organizatorët e kësaj proteste kanë ftuar të gjithë policët, mjekët dhe mësimdhënësit që t’i bashkohen protestës, nëse nuk duan të identifikohen si të tillë.
Lidhur me këtë protestë, komuna e Drenasit ka njoftuar se disa rrugë në qytet do të jenë të bllokuara për shkak të kësaj proteste.
Se për cilat rrugë bëhet fjalë, ju ftojmë ta lexoni njoftimin e komunës së Drenasit:
Njoftim për qytetarët
Komuna e Drenasit njofton të gjithë qytetarët se me datën 08.02.2019, e premte duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 13:30, rruga “Ajet Rrukiqi” nga shkolla e mesme e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe rruga “Ilaz Kodra” nga rrethi deri tek Komuna, do të jetë e bllokuar për automjete, ndaj me mirëkuptim kërkojmë nga qytetarët qe gjatë kësaj kohe të bllokimit të rrugëve, të përdorin alternativa të tjera të rrugëve.
Arsyeja e bllokimit të këtyre rrugëve behët me qëllim të zhvillimit të protestës së paralajmëruar për ditën e premte (08.02.2019) e cila është thirrur nga shoqëria civile lidhur me rastin e fundit të dyshimit për abuzim seksual nga polici dhe profesori ndaj të miturës.
Në foto gjeni edhe hartën e rrugëve të cilat do të bllokohen për zhvillimin e protestës.
Ju faleminderit për mirëkuptim!
