Polici hetues, 50 vjeçari Vesel Veseli, baba i katër fëmijëve, kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e dhunuar për një kohë një vajzë të mitur të cilën edhe e kishte lënë shtatzënë, e pastaj e kishte detyruar të abortonte. Rasti ka tronditur familjarët e tij e të cilët nuk kanë dashur të flasin. Ndërkaq, Inspektorati policor bën me dije se është duke u hetuar edhe një polic tjetër për ngacmim seksual pasi për të u raportua në rrjetet sociale.
Lajmi se polici nga Drenasi Vesel Veseli kishte abuzuar seksualisht me të miturën A.G (emër i njohur për redaksinë), bëri që në rrjetet sociale të shpërndahej edhe thirrja e një vajze tjetër 17 vjeçare po nga kjo komunë, për një koleg e mik të Veselit që po e ngacmonte vazhdimisht.
“Jam një nxënëse e gjimnazit të Drenasit nga Kizhnareka, jam 17 vjeçe kam frik për të shkruar po e pash postimin nëpër faqe të internetit që ky plehra Vesel Veseli e ka dhunuar një nxënëse të shkollës. Njëjtë ngacmohemi edhe nga shoku i tina i cili na kërcënon dhe kërkon favore të seksit”, shkruante ajo, duke kërkuar, nga frika, që të njëjtat të publikohen pa u zbuluar identiteti.
Informacione për këtë rast kishin Policia e kësaj komune, por, të njëjtët me pretekstin se për këtë temë do të deklaroheshin vetëm Policia në Prishtinë, nuk kanë pranuar të flasin
As Polica e rajonit të Prishtinës, përveç se për arrestimin e Veselit, nuk folën për kolegun tjetër, të dyshuar.
Për këtë temë nuk folën as në Inspektoratin Policor të Kosovës, megjithatë të njëjtët shpjeguan se janë duke hetuar rastin e policit tjetër (për identitetin e të cilit ka informacione Gazeta Express) e për të cilin u fol në rrjetet sociale.
Krejt lajmi për ngjarjen ka tronditur më së shumti familjarët e policit që tashmë është arrestuar nga organet e rendit.
Express gjatë ditës ka qëndruar në shtëpinë e tij në Drenas, por, askush prej tyre nuk ka dashur të flasë për këtë temë.
Siç edhe ishte raportuar një ditë më parë në media nxënësja, tash mosha 17-vjeçare, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj për marrëdhënie seksuale.
Aty Vesel Veseli pasi që i mori deklaratën do ta fotografonte të zhveshur e pastaj do të shantazhonte vajzën. Kjo do të vazhdonte deri kur vajza të mbetej shtatzënë, e pastaj do të detyrohej që të abortonte.
Siç ka raportuar Express, abortimi i vajzës është bërë në ordinancën “Kestrina” në të cilën punon gjinekologu Fehmi Ahmeti në Prishtinë.
Ahmeti ndërkaq, ka mohuar se kishte dijeni për moshën e vajzës, duke thënë se e njëjta e dinte se ishte më e madhe se 18 vjet, por pa dhënë detaje pse të njëjtës nuk i ka kërkuar dokumente identifikuese.
Polici Vesel Veseli është arrestuar ditën e martë, ndërkaq policia ka bërë të ditur se kanë bastisur shtëpinë e tij dhe të mjekut i cili kreu abortin.
. Rasti ka tronditur edhe banorët e Drenasit të cilët thanë se nuk kishin dijeni për veprimtarinë e policit, ndërkaq u shprehën të bindur se do të marrë dënimin e merituar nga drejtësia.
Lidhur me këtë rast ka pasur shumë reagime, ndërkaq, Shoqëria Civile ka thirrur edhe protestë./Express