Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me rastin e 16 vjeçares nga Drenasi, për të cilën mbrëmë u raportua se ishte keqpërdorur seksualisht nga një zyrtar policor.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Çitaku ka thënë se është e tronditur me dhunën që përjetoi vajza nga Drenasi, në duart e atyre që do të duhej të ishin aty për ta ndihmuar atë.
Derisa ka thënë se ky rast flet për një problem më të thellë në shoqëri.
“Kafshë dhe monstra që këpusin krahë e dhunojnë gra ka kudo. Ajo që bënë dallimin është mënyra se si reagon shoqëria. Si reagojnë institucionet. Le të jetë ky rast këmbanë e na zgjoftë nga indiferenca”, ka shkruar Çitaku.