Kërkesa nga Komisioni Evropian që statusi i“Trepçës” të jetë pjesë e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është rrjedhë e natyrshme e parimeve udhëheqëse të cilat Kosova i ka pranuar deri më tash, shkruan shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi.,
Sipas tij përgjatë shtatë viteve të kaluara, Kosova ka pranuar të bisedojë me Serbinë dhe të pajtohet me të, për mënyrën se si do të organizohen komunat e Kosovës (Bashkësia e Komunave Serbe), çfarë nacionaliteti duhet doemos të kenë komandanti i policisë dhe gjykatësit e apelit në Mitrovicën e Veriut dhe çfarë lartësie duhet të jetë muri i rrethrrotullimit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
“Për zyren e zonjës Mogherini, është e qartë se nëse Kosova ka pranuar të bisedojë dhe të dakordohet për të gjitha këto çështje që duhet të ishin pjesë e sovranitetit të Kosovës, do të pranojë të bisedojë edhe për “Trepçën””, tha Surroi në profilin e tij në facebook.
Ai shtoi se është mësim i mirë për spektrin politik kosovar pse duhet kaluar prej procesit negociator të “normalizimit” në procesin negociator të “Marrëveshjes gjithpërfshirëse” me vlerësim të procesit të deritanishëm e me parime të reja e të dakorduara udhëheqëse. B.T