Lajçi: Unë po pyes se përse tash z. Haradinaj nuk po e thotë asnjë fjalë për demarkacionin, e dikur luftonte me të gjitha mjetet kundër miratimit të tij në Kuvend.
“Fillimi i punës së Komisionit tonë akoma nuk ka ndodhur, pasi prioritare janë agjendat e tjera, që janë kryesisht të natyrës politike, që kanë të bëjnë me bisedimet e Kosovës me Serbinë”, thotë për gazetën “Kosova Sot” , Shpejtim Bulliqi, nga Komisioni për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.
Deri më tash nuk ka ndodhur asgjë me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, edhe pse kishte premtuar kryeministri Ramush Haradinaj se do të ndodhë korrigjimi i kufirit, pasi cenohej territori kosovar. Sipas deputetëve të opozitës dhe analistëve, kjo ishte një lojë e Haradinajt vetëm e vetëm sa për të ardhur në pushtet. Opozita,qytetarët dhe analistët po pyesin me të drejtë se përse tash kryeministri nuk po e thotë asnjë fjalë për demarkacionin, e dikur luftonte me të gjitha mjetet kundër miratimit të tij në Kuvend. Njohësi i kësaj fushe, Shpejtim Bulliqi, nga Komisioni për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, për gazetën “Kosova Sot’, ka folur shkurtazi për atë se çfarë ka ndodhur me demarkacionin të cilin kishte premtuar Haradinaj se do të korrigjohej. “Fillimi i punës së Komisionit tonë akoma nuk ka ndodhur, pasi prioritare janë agjendat e tjera që janë kryesisht të natyrës politike, që kanë të bëjnë me bisedimet e Kosovës me Serbinë, që janë duke e bërë kryetari i shtetit , kryetari i Kuvendit dhe kryeministri”, u shpreh ai.
Lajçi e pyet Haradinajn: Pse po hesht tani?
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Ali Lajçi (LVV),për gazetën “Kosova Sot’, thotë se koha e dëshmoi se premtimet e Haradinajt për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi ishin një gënjeshtër e madhe elektorale vetëm sa për të ardhur në pushtet dhe kjo është e pafalshme atë që e bëri z Haradinaj duke ua falur më shumë se 8500 hektarë tokë malazezëve. “Pra, unë po pyes se përse tash z. Haradinaj nuk po e thotë asnjë fjalë për demarkacionin, e dikur luftonte me të gjitha mjetet kundër miratimit të tij në Kuvend. Kam frikën se edhe në këto bisedime me Serbinë pjesëtarët e këtij koalicioni do të bëjnë sërish pazare me tokat e Kosovës. Andaj, shpëtimi i vetëm i këtij vendi është largimi sa më parë i këtij koalicioni nga pushteti, sepse po vazhduan që këta edhe më tej të sundojnë me Kosovën vaj halli për vendin dhe qytetarët tanë”, potencoi ai.
Kelmendi: Manipulimi i kryeministrit
Analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se “harambashi” Ramush Haradinaj e shfrytëzoi me mjeshtëri demarkimin e kufirit me Mal të Zi, për ta kapur postin e kryeministrit, aspak të merituar. “Ndërsa marrëveshja për demarkim të kufirit me Mal të Zi u zvarrit panevojshëm dhe i shkaktoi Kosovës keqkuptime e komprometime. Tashmë ai është histori dhe nuk do të riproblematizohen më, sepse do të bëhemi pjesë e BE-së, ku kufijtë shtetërorë janë pothuajse vetëm kufij administrativë. Kush mendon se ai duhet të ‘korrigjohet’, i ka mbetur mendja në mendësinë destruktive të Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt, që e shpërdorën atë rast që të faktorizoheshin si patriotë, e në fakt ishin vetëm mashtrues për interesa të tyre karrieriste dhe egocentrike”, vlerësoi ai.
Hertica: Tradhtia e deputetëve
Analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ata 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës iu bashkuan tradhtisë së presidentit Thaçi dhe shkeljes së integritetit dhe Kushtetutës së Kosovës për faljen e territorit të Kosovës Malit të Zi dhe në fund firmosja e Haradinajt e vulosi këtë marrëveshje që ishte nënshkruar atëkohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi. “Demarkacioni dëmton Kosovën, ndërkaq Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dëmton kushtetutshmërinë e Republikës së vendit. Demarkacioni e kthen një lloj roli të Serbisë në Kosovë dhe kjo veç shihet në Mitrovicën Veriore. Kjo Qeveri e tanishme është Qeveria më e dobët që ka pasur deri më tani Kosova që nga pas lufta dhe, për fat të keq, kjo Qeveri është ajo që po i shkakton shumë humbje dhe vuajtje Kosovës”, vijoi më tej Hertica. “Tani, me të drejtë shtrohet pyetja se deri kur Kosova do të vuajë pasojat e veprimeve të pamatura të qeveritarëve të papërgjegjshëm ”, vijoi më tej Hertica. Analisti Shefik Shkodra,për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se secili që po vjen në pushtet i ndërron fjalët nga koha sa ishte në opozitë. “Po humbin betimin që e bëjnë para dhe gjatë zgjedhjeve. Kështu ka ndodhur me Hashim Thaçin, kështu po ndodh edhe me Ramush Haradinajn. Një herë, nuk ka mundësi të bëhet demarkimi me Malin e Zi, në asnjë mënyrë sipas Komisionit shtetëror, e menjëherë pas zgjedhjes së Ramushit kryeministër, problemi u zgjodh sipas po atij komisioni. Është folur se do të rishqyrtohet edhe njëherë ai kufi, por kjo u hesht”, potencoi ai.
Qytetarët, të zhgënjyer nga ish-kundërshtari i demarkacionit
Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer nga premtimet boshe të Ramush Haradinajt. Ata pyesin së përse tash z.Haradinaj nuk e thotë më asnjë fjalë për demarkacionin me Malin e Zi, e dikur luftonte me të gjitha mjetet kundër miratimit të tij në Kuvend. Qytetarët vlerësojnë se kjo ishte një lojë e z. Haradinaj vetëm sa për të ardhur në pushtet. Qytetari nga Prishtina, Murat Lepaja, për gazetën “ Kosova Sot ”, thotë se vërtet është i zhgënjyer me z. Haradinaj që nuk i mbajti fjalët e tij që i dha në kohën derisa ishte si opozitë. “Andaj, heshtja e tij e tashme dhe lënia në harresë e korrigjimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi tashmë po na tregon se ato premtime të tij për mosndryshimin e më pas të korrigjimit e kufirit me malazeztë ishin vetëm një lojë e z. Haradinaj vetëm sa për të ardhur në pushtet”, theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Ismail Hamiti, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nuk ka pritur dhe tash po i duken se janë të çuditshme veprimet e Haradinajt, i cili dikur si opozitë luftonte me të gjitha mjetet në Kuvend kundër miratimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. “Përse tash kur është në pushte z.Haradinaj nuk po e thotë më asnjë fjalë për demarkacionin me Malin e Zi dhe korrigjimin e tij? Andaj, lirshëm e themi se këto premtime të z. Ramush Haradinaj na dolën gënjeshtra e asgjë tjetër”, potencoi ai.
(Kosova Sot)