Statusi i pazakontë i presidentit të vendit, Hashim Thaçi, që thoshte se “bora ka zënë të shkrihet shpejt…Uroj të mos bëhet skllotë!” u nënkuptua si një kundërpërgjigje për kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.
Por Haradinaj ka thënë se nuk dëshiron ta komentojë këtë postim të Thaçit pasi edhe nuk e di saktësisht porosinë e tij.
“Për besë, e kam shumë të vështirë ta komentojë edhe postimin e presidentit edhe atë çfarë ka paralajmëruar sepse ne nuk kemi takime. Ka një kohë të gjatë që nuk kemi takime të ndërsjella”.
“Nuk e di çfarë ka menduar konkretisht”.
“Ne si Qeveri nuk po rrimë, nuk e po humbim kohën, pra po punojmë në një materie të një marrëveshje gjithëpërfshirëse. E kemi thënë disa herë se do të vëmë çdo gjë në dispozicion të Delegacionit Shtetëror të institucioneve të Kosovës për një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi”.
I pari i Qeverisë ka treguar edhe pse ai kishte thënë se “ka me u shkri bora dikur” kur ishte pyetur nga gazetarët nëse ai më parë do ta suspendonte taksën prej 100 % ndaj produkteve të Serbisë apo do ta rrëzonte Qeverinë.
“Në momentin kur jam pyetur dhe e kam përmendur borën, kam qenë në një ngjarje të një natyre tjetër dhe në atë moment nuk kam dashur t’i përziejë porositë”.
“Ka qenë një mënyrë për të thënë se do të flasim konkretisht herën tjetër. Nuk mund t’i komentojë të tjerat çfarë kanë pësuar sepse nuk e di çfarë është porosia e tyre”.